Nga Martin Leka
Ditën që u publikua vendimi i Gjykatës së Strasburgut, Mark Nika thotë: “Pa Strasburgun, çështja e nipit tim do të ishte varrosur”.
Marku është xhaxhai i Aleks Nikës, lezhjanit të vrarë në protestën e famshme të 21 Janarit 2011. Që ditën kur mori lajmin e kobshëm për nipin, nuk ka reshtur të kërkojë drejtësi. Formimi i tij juridik e ndihmon më shume se njerëzit e zakonshëm për të trajtuar termat e drejtësisë. -Hetimi është art, thotë ai.
Konkluzionet e tij arrijnë në përfundime që i tejkalon interesat personale e familjare. Hetimi nuk ka qenë i plotë. As i lirë. Po ti referohemi deklaratave politike lidhur me çështjen, që nga ish-kryeministri i kohës apo dhe drejtues të Gardës së Republikës, është e qartë se shteti, i zënë ngushtë, i zënë në faj, i zënë në krim, është munduar të shfajësohet. Duke gënjyer (vranë njëri-tjetrin me çadra pistoletë)! Duke prishur prova (fshirja e serverave)! Duke penguar drejtësinë (pengimi i zinxhirit të gardës të dëshmojë).
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut e ka lehtësuar sadopak Mark Nikën. Por entuziazmi i tij fillon e venitet sapo fjala kalon tek drejtësia shqiptare. Ka parë kalvarin e përgjatë 13 vjetëve ku nuk u bë drejtësi për nipin e vet dhe këtë herë edhe pse beson pak, ka një shpresë. Tek SPAK. -Nëse çështja do të hetohet e plotë, thotë ai, do të dalë edhe motivi i vërtetë i vrasjeve. Për të mbajtur pushtetin me çdo kusht e çmim. Vrasjet e 21 Janarit një fije e hollë i ndan nga krimet kundër njerëzimit. Të shtënat drejt turmave të pafajshme dhe vrasjet për arsye politike janë krim kundër njerëzimit.
Tek ai nuk ka doza hakmarrjeje. Por nuk harron të thotë se sa e rëndë është për familjen e tij kur sheh që i bëjnë moral prej 13 vjetësh në parlament njerëz të implikuar në vrasje.
-A ke një emër, i them?
-Sali Berisha, thotë!
Xhaxhai i Aleks Nikës ka dy shtete. Një shtet të Sali Berishës dhe një shtet të Edi Ramës.
Shteti i parë i vrau nipin. Dhe jo vetëm e vrau, po u mundua me çdo kusht e mjet ta fshihte si vrasje ordinere dhe pa autor.
Shteti i dytë e qau. Vetëm e qau. As Aleksit, as tre dëshmorëve të tjerë nuk mjafton tu bësh ritualin e luleve cdo vit aty ku derdhën gjakun e ranë. Shpagimi bëhet vetëm me drejtësi. Kur drejtësia është e padrejtë, ky term nuk mund të ekzistojë.
Strasburgu, edhe pse ne i dinim, na ka bërë me dije se si kryeministri i kohës sulmoi prokurorinë dhe nuk zbatoi urdhërat e prokurorisë. Kaq mjafton, pa dashur të futemi ne terma juridikë, që çështja të rihetohet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Që shteti, çdo shtet, të zërë mend e të mos përsërisë kriminalitet të tillë. Që për arsye politike si kjo dhe më tej, asnjë prind të mos mbetet pa fëmijë, asnjë fëmijë të mos mbetet pa baba, asnjë grua të mos mbetet pa bashkëshort, asnjë xhaxha të mos mbetet pa nip. Këtë kërkon dhe Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës!