Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se administrata e tij po studion dhe rishikon mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Gjermani.
”Një vendim pritet të merret brenda një periudhe të shkurtër kohore”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Deklarata erdhi pas kritikave të ashpra të tij ndaj kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili kishte kundërshtuar publikisht ofensivën amerikane kundër Iranit.
“Merz nuk e di për çfarë flet”, shkroi Trump, duke shtuar se “nuk është çudi që Gjermania po ecën keq, si ekonomikisht ashtu edhe në aspekte të tjera”.
Ai e akuzoi gjithashtu kancelarin gjerman se toleron mundësinë që Irani të ketë armë bërthamore.
Nga ana e tij, Merz deklaroi në Berlin se marrëdhënia e tij me Trump “mbetet, të paktën nga këndvështrimi im, po aq e mirë sa ka qenë ndonjëherë”, duke theksuar se dialogu mes tyre vazhdon të jetë konstruktiv.
Trump kishte kërcënuar edhe gjatë mandatit të tij të parë (2017–2021) me reduktimin e trupave amerikane në Gjermani.
Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane nga mesi i prillit, rreth 86 000 ushtarë amerikanë janë aktualisht të vendpsur në Evropë, përfshirë rreth 39 000 në Gjermani, megjithëse ky numër ndryshon për shkak të rotacioneve dhe stërvitjeve ushtarake.
Në mars, Merz kishte deklaruar se Trump e kishte siguruar për vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Gjermani, por nuk ishte e qartë nëse kjo prani do të mbetej në të njëjtin nivel.
Për dekada me radhë, SHBA-ja ka mbajtur baza të mëdha ushtarake në Evropë, me rëndësi strategjike për operacionet globale, përfshirë Lindjen e Mesme.
Në Gjermani ndodhen struktura kyçe si Komanda Evropiane e SHBA-së (EUCOM) në Shtutgart dhe baza ajrore ”Ramstein” në Rheinland-Pfalz, një qendër e rëndësishme për Forcat Ajrore amerikane.
Në fund të vitit 2025, Kongresi amerikan miratoi një mekanizëm sigurie që ndalon rënien e numrit të trupave të përhershme në zonën e komandës evropiane nën 76 000 për më shumë se 45 ditë, pa plotësuar kërkesa të caktuara raportimi.
Komente