Dy të rinj në Kosovë kanë lënë të vdekur një 18-vjeçare në derën e spitalit në Ferizaj pasi e kanë dhunuar fizikisht dhe si pasojë e goditjeve ka ndërruar jetë. Policia ka arrestuar një nga personat e dyshuar, shtetasin A.S, 32-vjeç dhe ka shpallur në kërkim shtetasin D.K.

Dy të rinjtë janë kapur nga pamjet e kamerave të sigurisë, kur lënë 18-vjeçaren pa shenja jete në dyert e spitalit e pastaj largohen me një makinë ‘Audi A8’ me targa zvicerane me ngjyrë të zezë.

Fotot e tyre janë nxjerrë nga kamerat e sigurisë dhe janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë të policisë së Kosovës. Në komunikatë për mediat, thuhet se i dyshuari, A.S. 32 vjecar, është intervistuar dhe pastaj ndaj tij është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas prokurorisë, A.S dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, bashkë me të dyshuarin, D.K. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim.