Shtetet e Bashkuara duken të palëkundura sa i takon reformës në gjyqësor. Pavarësisht se kush është në krye të ambasadës, të gjithë janë në sintoni të plotë kur flitet për korrupsion, sundim të ligjit apo drejtësi.

E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn, prej disa ditësh po zhvillon takime me përfaqësues të qeverisë, duke u njohur më nga afër me ta. Sot ajo ka takuar ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, me të cilin sigurisht ka folur për reformën në drejtësi.

Ashtu si paraardhësi i saj, por edhe ambasadorja Yuri Kim, Nancy VanHorn shprehet se SHBA do të punojë fort që reforma në drejtësi të ecë përpara, teksa e bën të qartë se të korruptuarit duhet të ndëshkohen dhe të sundojë ligji në vend.

E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja. Ata diskutuan rolin thelbësor të zbatimit të plotë të reformës në drejtësi në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë para drejt aspiratave euroatlantike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, për të forcuar institucionet e drejtësisë dhe në mbështetje të sundimit të ligjit”, shkruan ambasada.

Mesazhi duket se shkon për të gjithë ata që duan të pengojnë drejtësinë. Si majtas ashtu dhe djathtas nuk e duan këtë reformë dhe po bëhet gjithçka që ajo të ndalet. Por diplomatja duket se e ka bërë të qartë se pavarësisht emrit që është në krye të ambasadës, qëndrimi është i njëjtë: Reforma nuk preket.

Politika shqiptare po shfrytëzon mungesën e një ambasadori me kohë të plotë, për të tjetërsuar reformën. Pas ikjes së Yuri Kim, emri i ambasadorit David Kostelancik është bllokuar në Senat dhe kjo ka bërë që Meta dhe Berisha të hidhen në sulm ndaj SPAK.