Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë arrestime te te korruptuave në të gjithë nivelet. SPAK ka filluar të lëvizë, por duket se puna nuk duhet të ndalet me kaq.
E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn ka shkuar sot në SPAK, ku është takuar me Altin Dumanin dhe me Drejtuesin e Seksionit Kundër Korrupsionit në SPAK, Klodjan Braho. Ajo ua ka bërë të qartë se SHBA është në mbështetje të SPAK, teksa ka kërkuar që të marrë fund pandëshkueshmëria.
Sipas diplomates amerikane, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit duhet të jenë të pandalshme. Po ashtu ajo i ka kërkuar Dumanit që ata të tregojnë integritet në hetime.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Drejtuesin e SPAK-ut Altin Dumani dhe Drejtuesin e Seksionit Kundër Korrupsionit në SPAK, Klodjan Braho, të cilët janë të përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Znj. VanHorn shprehu admirimin e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e palodhura të SPAK-ut dhe i nxiti ata të vazhdojnë punën e tyre të guximshme dhe të udhëhequr nga integriteti. Ajo theksoi se SPAK dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë kanë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në misionin e tyre për popullin shqiptar, duke shtruar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, njofton ambasada e SHBA.
E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn, prej disa ditësh po zhvillon takime me përfaqësues të qeverisë dhe institucioneve, duke u njohur më nga afër me ta. Dje ajo u takua ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, me të cilin sigurisht është folur për reformën në drejtësi.
VanHorn u shpreh se SHBA do të punojë fort që reforma në drejtësi të ecë përpara, teksa e bën të qartë se të korruptuarit duhet të ndëshkohen dhe të sundojë ligji në vend.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja. Ata diskutuan rolin thelbësor të zbatimit të plotë të reformës në drejtësi në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë para drejt aspiratave euroatlantike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, për të forcuar institucionet e drejtësisë dhe në mbështetje të sundimit të ligjit”, shkruan ambasada.
Mesazhi duket se shkon për të gjithë ata që duan të pengojnë drejtësinë. Si majtas ashtu dhe djathtas nuk e duan këtë reformë dhe po bëhet gjithçka që ajo të ndalet. Por diplomatja duket se e ka bërë të qartë se pavarësisht emrit që është në krye të ambasadës, qëndrimi është i njëjtë: Reforma nuk preket