Frrok Çupi
Sa shumë njerëzve u ka hyrë frika se ditën e votimeve “do të ketë luftë”! Dy parti, plus ca “bishta”, kanë ngritur zërin në qiell se atë ditë “kush mbetet, le të mbetet’. A janë normal këta njerëz?!
Natyrisht, njeriu edhe është edhe nuk është normal, por kjo nuk i jep të drejtën askujt që me kaq ta mbyllë debatin. Ata që e mbyllin këtë debat, madje edhe politikanë të rangut të lartë, ata bien në krizën se “me këta njerëz çfarë duhet bërë!”. Nuk ke çfarë bën, këtu do t’i keshë sa të kenë jetë. Njeriun nuk mund ta gjykosh për prapambetjen dhe gjendjen natyrore me të cilën jeton; veçse për krimet e gjykon. E keqja që e ka zënë vendin edhe kësaj radhe është shumë e rrallë, por në fund të fundit edhe e keqja është njerëzore.
Shiko sa njerëzore është kjo e keqe që po trondit botën:
Ngrihet një politikan në krye të partisë ose në krye të shtetit dhe bën thirrje: “Jo zgjedhje, kush shkon në zgjedhje i pëlcasin sytë dhe i tregojmë vendin kur të marrim pushtetin”. Ushtarët e tij, domethënë ata që po i quajnë me fjalët “po çfarë janë këta, mo vëlla?”, ata marrin armët dhe bëjnë çfarë u ka thënë shefi. Nëntë herë që nga mesi i shkurtit kanë ushtruar dhunë në qytet, duke deklaruar fitore mbi shumicën. Nëntë herë e kanë rrëzuar qeverinë dhe prapë nuk stepen, janë gati për dhunë tjetër. Do të duhej që vetë Shtetet e Bashkuara t’u vijnë në zyra liderve të tyre dhe t’u tregojnë mandatën. Atëherë ndryshon puna edhe me këta njerëz që quhen “po ça janë këta njerëz”. Atëherë këta bien squkët, ulin veshët dhe duket se nuk kanë qenë kurrë për dhunë. Mbeten vetëm disa që janë caktuar për të sharë mbarë e mbrapsht në internet… Kështu ndodhi sot: Të dy liderët që kishin nxitur dhunë, presidenti dhe kryedemokrati, bënë si të çuditur se “kush paska folur për dhunë?”, dhe deklaruan veten kundër në dhunën e datës 30. Që në këtë moment ata ‘njerëzit e çuditshëm’ u zhduken. Po prandaj e keqja është njerëzore, është e njeriut, kurrë nuk i duhet larguar këtij debati.
Sepse njeriu është shumë i komplikuar, ai nuk është as si bleta e as si milingona; njeriu është një lloj tjetër kafshe politike. Bleta dhe milingona janë të tilla ‘kafshë politike’ që instinktivisht bashkëpunojnë në punë për të mirën e përbashkët. Jo, njeriu është një lloj tjetër, që nuk vihet menjëherë në rresht për nga e mira e përbashkët. Njeriu është ‘kail’ t’i shkojë më mirë pas një politikani krejtësisht të gabuar, se sa të korrektohet dhe të ndjekë të mirën e përbashkët, të paktën sa milingona. Aq më tepër njerër të fiksuar dhe të prapambetur si këta… Njeriu është nga ai lloj i kafshës politike që i thotë mendja të përfitojë diçka nga një poliitkan i korruptuar ‘hajt se s’ka gjë!’ pse godet mbi stabilitetin e shoqërisë. Kur njeriu nuk arsyeton mbi interesa politike të stadit modern, atëherë ai kthehet në “mëkatin origjinal”. Edhe mëkati është njerëzor. Por është aq njerëzor sa njeriu ndodhet në stadin natyral jashtë autoritetit të shtetit dhe politikës, jo më gjatë. Në atë stad filozofët e mëdhenj e kanë studiuar njeriun dhe e kanë gjetur ‘të vetmuar, të varfër, të egër…’.
Çfarë ishte kjo që po kërkonin politikanë në rrugë duke lënë dhe djegur mandatet parlamentarë, duke i shpallur luftë shumicës së qytetarëve se nuk do t’i lënë të votojnë, se do të ketë luftë civile ‘si në vitin 1997’? Edhe pse këtu brenda vendit nuk u ndje ndonjë rrezik i madh, bota e qytetëruar u tremb pa masë. Sespe bota e qytetërur ka shekuj që bën jetën shtetërore dhe politike moderne. Rreziku që vinte nga Shqipëria, ku mund të heqësh tullat e shtetit brenda natës, ku mund të sulmosh dhe shembësh parlamentin, mund të marrësh pushtetin me dhunë, mund të kthehesh nga minorancë në maxhorancë pa votime, brenda orës…, kjo e trembi shumë shoqërinë njerëzore të përsosur në Perëndim.
Por këta ‘heronj’, vallë a janë djaj që duhen konsideruar? Sigurisht që po. Ata i shërbejnë dikujt që i ka lidhur pas interesit korruptiv, pas ca krimeve, pas ca lekëve nëpër xhepa, pas luftës kundër drejtësisë. Por edhe ata liderë që kanë kryer mëkatet e djallit prej 3 dekada, duke nisur që nga kreu i shtetit, në natyrën e tyre janë njerëzorë. Liderët e kanë quajur ‘njerëzore’ të drejtën e tyre për të kryer krime, kjo është kriza. Ata e kanë brenda natyrës ‘krude’ korrupsionin, vjedhjen, vrasjen, mashtrimin. Puna tani është se nuk dorëzohen para drejtësisë dhe po ndezin luftën për të djegur drejtësinë humane të këtyre njerëzve të mashtruar e të pa mashtruar.
Por tani është koha të dorëzohen. Jo pse u bëmë ‘Evropë’ brenda natës. Por sepse shumica njerëzore ka përparuar, është persosur, ka dalë nga stadi natyror, nuk është në gjendjen e vitit ‘97 as njeriu as vetë shteti. Nuk është në favor të stetit modern që tani njeriu djallëzor e i zhytur të na zhysë të gjithëve në debatin e fillesës njerëzore: nëse njerëzit, nga natyra, janë të mirë apo djaj’.
Jo, tani është koha për t’u dorëzuar.
VERITAS.COM.AL/