Frrok Çupi
… Sepse jemi në epokën e shtetit modern- kjo është arsyeja pse shteti nuk mund të bllokohet. Po të ishim në regjimin që kaluam para tre dekadash, shtetit i zihej fryma në sekondë- sa të mbyllej një valvul… Kështu e ndërton shtetin totalitarizmi: Që sapo të ngrefet pak i pari i shtetit, t’i bllokojë të gjithë në tunel… Epoka ‘Demokraci’ ka pikërisht këtë vlerë: Askush nuk të ka në dorë jetën as shtetin tënd, askush nuk ta zë frymën pse do ai; qoftë edhe vetë kryetari i shtetit nuk e bllokon dot shtetin.
Ka ndryshuar vetë boshti i botës në sensin e shtetit. Vetëm mendja, aty- këtu, nuk ka ndryshuar…
E patë çfarë ndodhi me ne? Kryetari i shtetit, president i Republikës, fabrikoi llozin dhe drynin e madh që të bllokonte portat e shtetit. Pasi bllokoi zgjedhjet e pushtetit lokal, nisi fabrikimin për bllokimin tjetër. Kjo u provua kësaj here, që mbrëmë sa presidenti zbriti në aeroportin e Rinasit e derisa shkoi në zyrë (ndoshta në ora 5 të mëngjesit). Kaq zgjati tentativa. Bllokoi Gjykatën Kushtetuese, pastaj zinxhiri poshtë: Gjykatë e Lartë, SPAK, Prokurori Speciale, Burgje… Presidenti u betua se nuk do të pranonte betimin për anëtaren e Gjykatës Kushtetuese Vorpsi, por zonja Vorpsi u ngrit e trokiti në derën e një Noteri tjetër; dhe u betua. Pastaj u nis drejt selisë së Gjykatës Kushtetuese dhe nisi punën. Presidenti nuk donte, po ç’vlerë ka!
Me kaq u hap dryni i fabrikuar nga Presidenti. Një noter ka të njëjtën vlerë legale me presidentin, kur është puna për të hapur portën.
E shikon sa thjesht zhbllokohet shteti! Këtë kemi arritur këto tre dekada: Shteti në epokën ‘Demokraci’ nuk mund të bllokohet. Po të ishte Enveri në vend të Metës; ose më saktë- Meta në epokën e Enverit, atëherë do të na mbyllte shtetin, të hidhte çelësat në lum, dhe…, çfarë do të bëje…. Nuk do të kishte firmë për furnizimin me misër nga depot në vend dhe njerëzit do të gjuanin për milingona; fëmijët nuk do të gjenin më derën e shkollës; kafshët do të hanin fillimisht njëra tjetrën e pastaj të zonë; të burgosurit do të pushkatoheshin nga kapteri i fundit i mbetur në kamp…
Kështu shkon shteti i bllokuar: Çmendet ai që mban çelësat dhe shkon puna deri sa të gjuhet për milingona. Enver Hoxha ishte i çmendur dhe e kishte ngritur shtetin si çmendinë, nuk mund të kishte tjetër mbyllje më keq. Por kur presidenti Meta u çmend nga presioni i fajeve të veta si shtetar që në moshën e qumështit, atëherë bëri atë që mendon i çmenduri: Mbylljen e shtetit!
Tani e shikon, vëlla, ç’vlerë ka Demokracia?! Demokracia nuk të jep vetëm pasuri të vjedhur nga populli; as nuk është vetëm për të derdhur lot për të varfrit; as është vetëm për të bërë liri me intrigat, me fqinjët, me fisin… Bon ça të dush!….
Mirë, ore, këto i bën të gjitha dhe në mbrëmje shan Demokracinë. Me të drejtë e shan, sepse Demokracia nuk është e përsosur dhe të lejon të mendosh më të keqen: Ta bësh krimin dhe ta mbulosh; ta rrënosh vendin dhe të bëhesh president; të jesh president dhe të mbyllësh shtetin e ta hedhësh çelësin në lum…. Këto t’i lejon, të gjitha, Demokracia.
Mirëpo kjo epokë nuk lejon bllokimin e shtetit. Del një Noter dhe hap portën- siç ndodhi.
Në mos një noter- atëherë del një gjykatës. Në mos një gjykatës- një qytetar i mirë del më shumë se vlera e presidentit. Shteti hapet nga njëmijë e një milionë mënyra- nëse dikush çmendet dhe merr çelësat. Ilir Meta donte ta mbyllte shtetin veç për të shpëtuar nga gjykimi…
Mirëpo ja ku po hapen porta të tjera e të tjera… shpëtimi për shtetin: SPAK, Prokurori Speciale, Gjykatë Speciale, Popull i vdekur për Drejtësi, Amerikë, Evropë…
Çuditëm si i tha mendja se mund t’i mbyllë këto porta të rënda….
VERITAS.COM.AL/