Ishte planifikuar për t’u hapur në 20 Maj, por qendrat e pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër nuk do të jenë të aksessueshme nga kjo datë.
Në një njoftim të bërë në mars, prefektura e Romës përcaktonte se shërbimet në këtë qendër do të nisnin “jo më vonë se data 20 maj 2024”.
Por agjencia italiane e lajmeve ANSA raporton se çelja e dy kampeve në Shqipëri, që do të presin 36 mijë emigrantë në vit, është shtyrë për shkak të vonesave në punime.
Firma italiane që po punon në kantieret e Shëngjinit dhe Gjadrit, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Romës dhe Tiranës, nuk ka përfunduar ende ndërtimin e strukturave mikpritëse.
Hapja e dyerve të qendrës së pritjes duhet të konfirmohej nga Ministria e Brendshme italiane 15 ditë para me një njoftim zyrtar, por ende nuk ka një sinjalizim të tillë.
Ndërkohë bëhet me dije se kontratën për menaxhimin e objekteve për 24 muaj e ka fituar kompania Medihospes me një ofertë prej 133.8 milionë euro.
Pika e hyrjes së emigrantëve do të jetë në portin e Shëngjinit, me qendrën që do të ketë kapacitet për 880 emigrantë dhe do të përdoret vetëm për kontrollet fillestare shëndetësore dhe mbledhjen e kërkesave për azil.
Ndërkohë, në dy qendrat e tjera në Gjadër emigrantët do të duhet të presin një përgjigje ndaj kërkesës së tyre për azil ose riatdhesim të mundshëm, një proces që do të zgjasë maksimumi 28 ditë.