Frrok Çupi

As deputeti Boçi i Elbasanit nuk duhej të bënte ‘rrugaçin’ kundër një biznesmeni; as Lul Basha nuk duhej të bënte si shkrimtar. Këto të dyja kanë brenda sindromën e lidhjeve të kundërta: Njëri si profesori që bën ‘llumin’ dhe tjetri që nuk di aritmetikë por nga zori bën sikur shkruan libër. Pak vite të shkuara, Ilir Meta, sot president, më thoshte se ishte regjistruar si pedagog në ekonomik që të mos ‘më quajnë injorant’. “Hë, a mund të më quajnë më injorant!?’, pyeste dhe përgjigjej Iliri.

Prapë vërtetohet se mes tyre edhe më i miri është më i keqi.

A mund të mendohej se një profesor universiteti të dalë në rrugë me grushte e të rrahë tjetrin?… Këta tipa, kinse profesorë, kinse shkrimtarë apo artistë, bash për këtë punë janë zgjedhur: Që të paraqesin një fytyrë tjetër të Partisë, jo fytyrën e keqe të dhunës siç e kanë parë në milet.

Domethënë janë zgjedhur si për atë që janë.

Edhe kryetari i PD, Basha, është zgjedhur pikërisht për atë që është: I përgjumur, pa ndonjë inteligjencë, i vogël në akt e në mendim, shërbëtor ndaj shefit më të madh, i korruptuar, i ngatërruar nëpër afera… E ç’i duhej të bënte sikur është një gjë tjetër?, domethënë sikur është edhe shkrimtar?! Që në faqet e para të librit tha një budallallëk, sikur në moshën 10 vjeç Luli dëgjonte VOA dhe mendonte për politikën… Po të ishte se lideri suprem i PD do të donte të kishte një artist, poet apo njeri librash në krye të PD, do të mbante Sokol Olldashin, i cili konkurroi me Bashën dhe humbi jetën. Por Luli nuk e ka kuptuar se më mirë të ishte më i miri në llojin e vet, se sa më i keqi në llojin e shkruesve me librat.

Fatkeqësi e madhe se si ka ardhur duke bjerrë gjithçka në Partinë Demokratike; tani edhe më i miri këtu është më i keqi…, më i keqi për vlerat e shoqërisë shqiptare që po tenton të shkojë drejt një qytetarie më të lartë. Në fillimet e veta, Partia Demokratike, kishte me vete ata pak intelektualë me emër shumë të mirë, ata pak disidentë nga shtresa borgjeze që kishte lënë gjallë diktatura, kishte studentët dhe punëtorët. Për herë të parë Shqipëria kreu ‘revolucionin e vlerave’ dhe jo ‘revolucionin e baltës’. Tani, shiko, edhe më i miri është më i keqi. Rexhep Qosja e ka quajtur ‘opozitë blegtorale’. Sot po të thuash votë për PD nënkupton kthim në mjerim, kthim në egërsi, në kaos, në vjedhje, në vrasje, në rrahje…

Po çfarë ndodhi kështu, bëhet pyetja përsëri?!

Qysh atëherë, viti 1992, në partinë e re të vitit ’90, ka nisur ‘procesi i Dikensit’. Çharls Dikens, shkrimtar anglez i viteve tetëqind, pat shkruar se “Ishte koha më e mirë kur ishte koha më e keqe; ishte mosha e mençurisë në moshë të budallëkut; ishte stinë e dritës dhe stinë e errësirës; ishte pranverë e shpresës dhe dimër i dëshpërimit”. Kështu ka bjerrë edhe në Partinë Demokratike, që sot do të duhej të ishte një opozitë dinjitoze.

Po si ndodhi vallë?

Fillimisht u qëruan ata që e krijuan Partinë Demokratike në zjarrin e diktaturës. Ata ishin disa ‘foolish people’- sipas Dikens, që mendonin për mirë e për liritë. Por i qëruan. Pastaj u qëruan ata të brezit që qëroi të parët; tani këta kanë bërë parti të reja.

Këta që janë aktualisht në PD nuk kanë kë qërojnë, sepse janë të gjithë njësoj; pa shpresë, pa mirësi, pa imazh, pa kulturë dhe me vese. Edhe më i miri mes tyre është më i keqi.

Po si u zëvendësuan ata që u qëruan?

Ja, si në procesionare? Çfarë është kjo? Procesionare quhet krimbi që ha pishat. E keni parë atë shtëllungën e bardhë që thanë  pishën? Brenda shtëllungës së ‘pambuktë’ ka miliona krimba që pjellin miliona në orë. Në PD e keqja tërhoqi të keqen… Do të sillte PD një kryetar në vitin 2013? E griu konkurrentin e Bashës dhe solli Bashën, me zor. I duhej PD-së një president i Republikës? Priti sa të ikte Moisiu i pabindur, që të sillte Nishanin; nga një pompist benzine- në krye të shtetit. Por kishte arsye, sepse pompisti kishte një lidhje me vrasjen e Trebickës. Edhe pasuesi i Nishanit do të kishte një lidhje me një aferë larjeje parash me 17 kulla. Pasuesi i pasuesit duhej të kishte lidhje me një makabritet ose korrupsion që nga fillesat: O kompania Shqiponja, o Arkani, o piramidat, o 14 shtatori, o Gërdeci, o kundër Drejtësisë së re. Po të mos kishe një lidhje me vesin, me korrupsionin ose me spiunin, në PD nuk mund të ishe ‘i nderuar’… Zonja Topalli&Co, për shembull, nuk kishin më vend, sepse nuk i përkisnin ‘familjes’.

Kështu ka ardhur PD deri në fund të enës, aty as më i miri nuk është më i mirë se më i keqi. Kjo që duket ‘pranverë shprese, është dimër dëshpërimi’- sipas Dikens.

VERITAS.COM.AL