Frrok Çupi/

Jo vetëm pse Edi Rama është demokrat i parë, madje dekada para gjithë liderëve të Partisë Demokratike, por sepse vetë opozita e sotme e ka ngritur Ramën në piedestalin e ‘Heroit’ të vet.

Vetëm sot, në një protestë politike të PD së bashku me LSI, emri i Ramës është përmendur mijëra herë më shumë se emri i kombit, më shumë se emri i Atdheut, më shumë se emri i nënës dhe gruas, më shumë se vetë emri i Zotit. Madje as vetë zoti nuk krahasohet me aq herë sa është përmendur emri i Edi Ramës.

Të gjithë militantët e Partisë Demokratike, pasi kjo parti ‘anti- komuniste’ e të drejtave të njeriut ra në dhunë të fuqishme tre herë ku u dogj vendi; të gjithë militantët e saj sot janë o ‘cuba’ të ardhur nga ku ta dish se ku, ose ‘laikë’ që nuk e njohin zotin. Këta njohin vetëm ‘Edi Rama’.

Me thirrjet ‘Rama ik!’, edhe vetë lideri i Partisë Demokratike ngriti një ‘monument’ të lartë për kryeministrin Edi Rama. Sa të kalojnë edhe dy orë më shumë, këta protestues dhe fëmijët e tyre do të bien në gjumë; por edhe në gjumë do të përmendin emrin e Edi Ramas.

Këta të rriturit do të flasin në gjumë ‘Rama ik”, ndërsa fëmijët e gratë do të belbëzojnë me epsh  ‘Rama, Ramaaa!’. Përderisa njerëzit e thërrasin në gjumë emrin e dikujt, atëherë ky është më shumë se zoti…

Po të ishin para zotit, këta nuk do të çanin kokën- sepse zoti kaq u ka dhënë- por tani presin të marrin nga Edi Rama.

Partia Demokratike, që prej shthurjes, kur përjashtoi themeluesit e saj dhe pasi u vranë heronjtë e vërtetë të Partisë Demokratike e të Demokracisë, pak nga pak iu afrua Partisë Socialiste dhe liderëve të saj. Pasi udhëheqësit e PD ‘u distancuan’ nga vetë Enver Hoxha, u afruan liderët Nano, Ruçi, etj.  Edi Rama, sapo erdhi në krye të Partisë Socialiste, u kthye në ‘model’, idol të Partisë Demokratike. Jo vetëm pse u vu në krye, por edhe pse liderët e Partisë Demokratike panë te Edi Rama demokratin më të parë. Rama iu bëri hije si Demokrat, jo si socialist. Ishte demokrati nga të parët që lidershipi i ri i PD nuk mund ta ‘vriste’ dmth., nuk mund ta përjashtonte, as mund ta denigronte nga brenda radhëve.

Tani kur kryeministri Edi Rama ndodhet në pozitat e kryeministrit, zilia dhe dashuria për të është rritur mijëra herë më shumë në radhët e Partisë Demokratike. Zyra e tij po sulmohet me bomba, me gurë, me shula, me cuba, me zjarr…, vetëm e vetëm për shkak të ‘isharetit’. Partia Demokratike dhe LSI i kërkojnë një copë pushtet. Kjo është arsyeja e vetme pse cubat nga disa rrethe po ndotin me tym bulevardin ‘fashist’ të ‘Dëshmorëve të Kombit’…

Nëse Rama u jep pak pushtet, ai do të jetë idol; edhe nëse nuk u jep pushtet, ai prapë do të jetë idol i opozitës.

Sidoqoftë, burrat e opozitës që u ‘shfrynë’ sot në Tiranë, sonte do të pëshpëritin natën në gji të grave: “Rama…, Ramaaa!, Rammaaa!’.

Veritas.com.al/