Akademiku Rexhep Qosja është nderuar në Prishtinë nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me “Yllin e Mirënjohjes Publike”.

Kryeministri Rama, ka vlerësuar figurën letrare të Qosjes duke thënë se “ai është dëshmitar i dinastisë së historisë shqiptare”.

“Kjo ditë më bën të ndjehem krenar dhe i ndrojtur, është një ditë që kam dashur të vijë prej kohësh, t’i shprehësh mirënjohje dhe të nderosh një njeri të admirueshëm. Për mua Rexhep Qosja hyn ndër ata njerëz për të cilin e quaj veten me fat të jem bashkëkohës i tij”, ka thënë Rama.

Ndërkaq, akademiku Rexhep Qosja, gjatë fjalimit të tij ka thënë se kjo mirënjohje ka një simbolikë të rëndësishme kombëtare për të.

Ai po ashtu, ka kërkuar që të dy kryeministrat e të dy qeverive të takohen më shpesh.

“Kërkoj të mbani mbledhje të përbashkëta për të jetësuar idealin e epokës së rilindasëve”, ka thënë Qosja.

Qosja falënderoi Ramën për nderin që ky i fundit i bëri, duke thënë se e ndjen veten të privilegjuar.

“Rama është njëri prej politikanëve më të mirë të Shqipërisë në këto 30 vitet e fundit, ka sjellë risi dhe fryte në jetën shoqërore”.

Ndërsa për Kurtin, Qosja tha se është një prej intelektualëve që e shquan një cilësi të veçantë.

“Duhet ta dëgjojmë e ta shikojmë kur paraqitet në televizione, në tubime dhe mbledhje të ndryshme, për të parë e për të u bindur se Albin Kurti ka një kujtesë të jashtëzakonshme në të cilën janë mbledhë të dhëna sa në një bibliotekë mbi historinë e Evropës e SHBA-së dhe kontinenteve të tjera”.