Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, deklaroi dje se ka informacione ‘për qarkullimin përmes mediave sociale për përpjekjet e organizimit të një karvani refugjatësh nga Greqia drejt Europës.
Ai la të kuptohet që Shqipëria ka kapacitete të kufizuara për të pritur një fluks potencial refugjatësh që mund të kalojnë në Shqipëri përmes kufirit të saj me Greqinë kur vuri në dukje se: “Shqipëria ka ato kapacitete që ka dhe nuk mund t’i shtojë sa herë që aktivizohen valë të tilla refugjatësh”.
Deklaratat, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i bëri në Tiranë, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun dhe zëvendës- kryeministrin e Çekisë, Jan Hamaçek.
Ministri i Brendshëm Lleshaj e quajti menaxhimin e flukseve të refugjatëve, “një sfidë shumë dimensionale dhe të vështirë për t’u menaxhuar dhe situata është e vështirë për t’u kontrolluar nga një vend i vetëm”.
“Shqipëria ka kapacitete për të marrë pjesë në kontroll, por sigurisht nuk mjafton vetëm pjesa jonë. Kjo është një çështje e madhe që tejkalon përmasat e Shqipërisë dhe rajonit”, – tha ministri i Brendshëm LLeshaj.
Ai solli në vëmendje situatën e vështirë në vitin 2015, i cilësuar si viti i krizës në Europë për shkak të qindra mijëra refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe Iraku, përmes Detit Mesdhe vërshuan në Europë për të shpëtuar nga lufta dhe persekutimi.
Në nëntor 2015 rreth 160 mijë refugjatë u sistemuan në qendrat pritëse të Greqisë.
Ngjarjet e fundit në kufirin greko-shqiptar tregojnë se synimi i tyre është që të kalojnë në Europën e Veriut, përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
A mund të mbahet nën kontroll situata e një vërshimi të mundshëm të tyre në Shqipëri? Ministri i Brendshëm Lleshaj jep një përgjigje pozitive të kushtëzuar nga bashkëpunimi me partnerët evropianë:
“Shqipëria do t’ia dalë të menaxhojë situatën dhe ta mbajë nën kontroll pasi është më e koordinuar me partnerët e saj europianë dhe FRONTEX, që aktualisht ndodhet në kufirin e përbashkët të Shqipërisë me Greqinë”.
Shqipëria është vendi i parë jo anëtar i BE që nënshkroi vitin e kaluar marrëveshjen e bashkëpunimit me BE për menaxhimin e kufijve e njohur si marrëveshja me FRONTEX, (European Border and Coast Guard Agency). Kjo marrëveshje i lejon BE-së të koordinojë bashkëpunimin operacional me Shqipërinë për menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE.
Në fokus të bashkëpunimit është emigrimi ilegal dhe flukset emigratore si dhe krimi ndërkufitar.
Që nga marrëveshja me Frontex vitin e kaluar është rritur asistenca teknike dhe operacionale e BE-së në kufijtë e Shqipërisë.
Menaxhimi efektiv i kufijve të jashtëm të BE-së, mbajtja nën kontroll e flukseve potenciale migratore, lufta kundër kontrabandës së emigrantëve vazhdojnë të jenë sfida të rëndësishme për Shqipërinë, rajonin dhe BE-në.
Veritas.com.al/