Një muaj shkoi nga ekzekutimi i tre personave në mbikalimin e Fushë-Krujës.
Më 17 korrik 2022, një grup tejet i strukturuar, kreu një operacion ekzekutimi me detaje të përpikta. Askush, nuk u la pas i gjallë.
Tre emra u bënë me dije pas vrasjes së bujshme, por më së shumti në sy, ra veç njëri: Brilant Martinaj.
Njëri, i la vendin tjetrin dhe sot, për Brilantin më nuk po flitet, por për Ervisin, mediat po gëlojnë.
Pse? Sepse ai, është shpallur zyrtarisht i zhdukur!
Gjithçka lidhet me Ervis Martinajn zhduket për të mos u gjetur më. Vetëm trupat e ekzekutuar (apo shkrumbuar) të miqve e familjarëve të tij, lokalizohen.
Asgjë tjetër…
Nuk është i largët nëntori i vitit 2021, kur në kryqëzimin e zonës së njohur si “Astiri” në Tiranë, dy persona u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi.
Lidhja me Martinajn? Erigers Mihasi, mik i tij i ngushtë!
Stili ishte i njëjtë me atë të vrasjes së Brilant Martinajt e shoqëruesve të tij.
Ndjekje me veturë, ekzekutim, largim nga skena e krimit, djegie e automjetit në Thumanë, Fushë-Kurjë a zonat përreth.
Pikërisht Fushë-Kruja është kthyer në epiqendrën e gjithë botës kriminale në Shqipëri dhe arsyeja, është e qartë: Ervis Martinaj, ndodhet (ose më saktë ndodhej) aty.
Mirëpo nga të dy krimet identike për nga organizimi, asgjë nuk dihet, veç emrave të viktimave dhe lidhjeve që ata kanë pasur me Ervis Martinajn.
Policia e Shtetit, Prokuroria, asgjë nuk ka arritur të zbulojë. Edhe nëse po, asgjë nuk e ka publikuar.
Albanian Post ka komentuar me gazetaren e mirënjohur të kronikës, Klodiana Lala dhe e ka pyetur pikërisht mbi “fenomenin” Martinaj.
“Për shkak të lidhjeve dhe përfshirjeve politike dhe kundërshtarëve shumë të fortë nuk është zbuluar asgjë”.
Kështu mendon ajo, e cila e ka ndjekur çështjen nga afër dhe ka qenë e para që ka raportuar zhdukjen e Martinajt dhe denoncimin që familjarët kanë kryer.
Sipas Lalës, zbardhja e krimeve, nëse bëhet, i ekspozon këta eksponentë.
Interesi publik i shoqërisë ka qenë shumë i lartë karshi çdo publikimi mbi jo vetëm Ervis Martinajn, por edhe eksponentë të tjerë të botës së krimit, si Nuredin Dumani, së fundmi i penduar i drejtësisë, apo Talo Çela.
E sërish, këtyre emrave, të cilët janë ndër më të kërkuarit në Shqipëri, i mbivendosen të tjerë edhe më të fuqishëm, me lidhje shumë të forta politike, të cilët drejtësia, nuk guxon as t’i përmendë e publikisht nuk njihen.
Kështu e mendojnë gazetarët më në zë të kronikës situatën, e cila përshkruhet jo pak herë edhe si një luftë e paprecedente bandash.
Një nga një, të gjitha këto ngjarje po mblidhen e po bëhen pirg në dosjet hetimore, pa asnjë rezultat konkret.
Vetë kapja e Dumanit, zbuloi detaje, por në formë fragmentesh, pa një “puzzle” të qartë të tablosë së madhe të krimit, në të cilën Policia – zyrtarisht – nuk ka vënë ende asnjë formuese me peshë.
Zhdukja e Martinajt, sa paradoksale, aq edhe tronditëse nëse e vërtetë, e tregon fare mirë se gjithçka lidhet me të, ashtu si edhe gjithçka lidhet me grupet e strukturuara kriminale në Shqipëri, zhduket befasisht e nuk gjendet më.
Në Fushë-Kuqe ka rënë zija! Fortesa është thyer!
Pas, mbesin vetëm arkëmorte dhe emra të ekzekutuarish.
I njëjti fat edhe për Martinajn?! Kjo mbetet mister…