Ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 82-vjeçare pedagogu dhe personaliteti i Shkencave Veterinare në Shqipëri, Haxhi Aliko.
Profesori u shkollua në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare dhe zhvilloi një karrierë akademike 35-vjeçare, duke e filluar si asistent lektor dhe duke vijuar si titullar i lëndës ‘Fiziologjia e Kafshëve Bujqësore’, përgjegjës i Katedrës “Fiziologji-Biokimi” për 16 vjet dhe deri në Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës për 4 vjet.
“Si pedagog, Prof. Haxhi Aliko ka qenë kompetent i padiskutueshëm në lëndën e fiziologjisë dhe njëherësh tepër metodik e serioz në raport me studentët. Njohuritë e thella, qetësia dhe elokuenca në përçimin e njohurive si dhe formimi i tij kulturor universal, ishin tiparet dalluese që i dhanë atij statusin e një profesori autoritar në mjedisin universitar. Edhe sot e kësaj dite, gjenerata të shumta të studentëve i kujtojnë me nostalgji leksionet e mrekullueshme të Prof. Alikos. Prof. Haxhi Aliko ka shumë vlerësime, tituj e dekorime në jetën e tij dhe është një nga personalitetet me gjurmë të pashlyera në historinë e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare.! I paharruar kujtimi dhe puna e Profesor Haxhi Aliko!”, shkruan në një reagim Mjekësia Veterinare Shqiptare.