Nga. L. Skiro/

Erdhën në Tiranë, sa u përqafuan me të dashurit dolën në bulevard që të takojnë njëri tjetrin dhe qeverinë. Para selisë së kryeministrisë hynë në tundimin që të lartësojnë një kult për Edi Ramën, njeriun që e lanë basketbollist dhe e gjejnë kryeministër.

Kultit të tyre Rama ata i kërkuan bileta avioni, jetë të mirë për prindërit që kanë lënë në Shqipëri, të zgjidhë punën e strehimit të familjeve që kanë zënë pronat e botës, zgjidhjen e të gjitha problemeve të studentëve dhe minatorëve…, domethënë të gjitha problemet që ka njeriu në këtë tokë- deri edhe fshirjen e shtëpisë. Vetëm një zoti- kult mund t’i kërkohen të gjitha këto.

Emigrantët të përmalluar u ulën në bulevard nën thirrjen e njërit prej tyre që thoshte “Ju lutem uluni pak!’,  Edhe kjo ishte si puthja e tokës para kryeministrisë. Ose ishte një shenjë islamiste për të cilën emigrantët nuk kanë pasur mundësi ta manifestojnë në vendet e mbërritjes në Perëndim… Por sidoqoftë është kult, kulti i qeverisë së tyre në Atdhe.

Para se të uleshin përtokë dhe pasi puthën tokën, emigrantët recituan vjershat që kishin mësuar para se të largoheshin, madje që në periudhën e diktaturës komuniste. Recituan Naimin, Nolin, Çajupin dhe Fishtën. I kryen të gjithë ritet patriotike që ndodhen në agjendën e një faljeje para kultit.

Nesër- thanë se do të mblidhen prapë. Nesër, teksa gratë dhe nënat do të bëjnë bakllavatë në shtëpi, këta kanë punë këtu. Do të çmallen me njëri tjetri. Kjo është hera e parë që emigrantët nuk vijnë për t ‘u hakmarrë me armë kundër njëri tjetrit për sherret që krijojnë në vendet ku kanë qëndruar. Shpresojmë të ndodhë kështu deri në fund. Por edhe mbledhja e të gjithëve së bashku në bulevard është një masë preventive kundër hakmarrjes së njerëzve të krisur; në mes turmave të krisurit nuk mund të gjejnë trimëri për të qëlluar kundër dikujt.

Megjithatë mbrëmja e sotme në bulevard ishte një mbrëmje shenjtërie për këta njerëz të përmalluar për vendin e tyre ku mund të bësh gjithçka. Ata u liruan nga tensionet, nga pasionet, shanë e thërritën, bekuan atdheun dhe u larguan për të ardhur nesër përsëri. Ata bënë gjithçka nuk ua lejojnë në vendet ku kanë mbërritur.

Emigrantët- ka shkruar filozofi Amir Mallouf, edhe ky një emigrant i Lindjes në Paris,- janë shpirtra të varur mes vendit ku kanë lindur dhe vendit ku jetojnë.

Këta shpirtra zbritën sonte në Bulevardin kryesor.

VERITAS.COM.AL/