Një shpërthim me bombë në një ndërtesë banimi në Monako ka plagosur rëndë një oligark ukrainas, Vadym Ermolaev dhe dy anëtarë të tjerë të familjes së tij, sipas raportimeve të mediave franceze dhe ukrainase.
Shpërthimi ndodhi pak para orës 21:00 sipas orës lokale në rrugën Rue Révérend Père Louis Frolla, pranë kufirit me Francën, shkruan BBC.
Qeveria e Monakos tha se shpërthimi u shkaktua nga një pako-bombë, ndërsa Ministri i Shtetit Christophe Mirmand i tha AFP-së se pajisja shpërthyese dukej se përmbante bulona dhe fishekë.
Ai tha se ishte një “shpërthim i qëllimshëm” dhe policia po heton rastin.
Gazeta Le Figaro tha se imazhet e kamerave të mbikëqyrjes të momenteve para sulmit treguan një burrë duke hedhur një çantë shpine në hollin e një ndërtese pak para shpërthimit.
Qeveria e Monakos tha se një i dyshuar u pa në një sistem mbikëqyrjeje me video duke ikur drejt Francës në këmbë më pas.
Më shumë se 100 policë dhe personel i emergjencës u dërguan në vendngjarje.
“Kjo është hera e parë në histori, sipas njohurive të mia, që një akt i tillë ka ndodhur në principatë”, tha Mirmand, kreu i qeverisë së Monakos.
Qeveria e Monakos tha se tre personat e plagosur ishin dërguar në spital në qytetin fqinj francez të Nicës.
Princi Albert II i Monakos e përshkroi incidentin si një “krim të shëmtuar” dhe “një tronditje për të gjithë komunitetin e Monakos”.
Ai tha se “të gjitha shërbimet shtetërore përkatëse janë duke u mobilizuar aktualisht” në bashkëpunim me autoritetet përkatëse franceze.
Yermolaiev është një zhvillues pasurish të paluajtshme që u largua nga Ukraina disa vite më parë. Ai u sanksionua nga Ukraina në dhjetor 2023./
Komente