Pasi konsumoi idenë e mos-bindjes civile, me pak njerëz në rrugë, opozita ka nisur sot një ‘etyd’ në Kuvend

Kreu i Partisë Demokratike e ka nisur fjalën me kërkesën për lirimin e kuksianëve që u arrestuan nga policia pas protestës që ata mbajtën kundër tarifës së dyfishtë për kalimin me automjete në Rrugën e Kombit.

Ndërkohë, të gjithë deputetët mbanin në duar pankarta me shkrime “liro kuksianët” – “arresto kriminelët”.

Lideri demokrat tha se nuk mund të vazhdojë parlamenti pa u nxjerrë nga salla kryeministri Edi Rama. Opozita kërkoi përjashtimin e tij nga punimet e parlamentit me 10 ditë, kur Rama përdori një fjalor fyes ndaj shqiptarëve, duke u shprehur në Kuvend, se “popullit nuk i ngrihet”, referuar kjo shpirtit të protestës.

Menjëherë pasi Basha përfundoi fjalinë: “Nuk mund të vazhdojë ky parlament pa nxjerrë nga salla Ramën”, deputetët e opozitës u ngritën në këmbë duke u vendosur para foltores së Kuvendit.

Veritas.com.al/