Në të gjithë Evropën, platforma YouTube ka bllokuar kanalet e lidhura me mediat shtetërore ruse RT dhe Sputnik në mes të pushtimit të Ukrainës.
Mes vendeve përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar.
Përmes një deklarate të postuar në Twitter, Google Europe ka bërë me dije bllokimin e kanaleve në Evropë dhe po ashtu hyrjen në fuqi menjëherë të vendimit të marrë.
“Për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, po bllokojmë kanalet e YouTube-it të lidhura me RT-në dhe Sputnik-un në të gjithë Evropën, duke hyrë në fuqi menjëherë”, ka shpallur kompania mëmë e platformës.
Gjithashtu është zbuluar se ekipet e kompanisë po vazhdojnë të monitorojnë situatën gjatë gjithë kohës “për të ndërmarrë veprime të shpejta”.
Më parë, Google-i ka kufizuar aftësinë e kanalit RT dhe kanaleve të tjera ruse për të fituar para nga reklamat në faqe.