Frrok Çupi/

Pse na duket, apo vërtet njerëzit janë më naivë se kurrë, pikërisht tani?

Ndoshta, të gjithë- jo e jo- por as shumica nuk e dinë se që në filozofinë e lashtë ishte thënë: ‘njerëz, kur jeni më keq, bëhuni më naivë!’. Nuk ka kështjellë më të mirë dhe veshje më të ngrohtë që e ruan kurmin e njeriut në kohë ‘kolere’ se sa vetë naiviteti… ‘Budalla, budalla, por lumin e kaloi’- thonë në të folmen e popullit kur tregojnë për naivin.

Po të mos mbështilleshin në naivitet, vallë si do t’i kalonin ‘pa plasur’ këto ditë të nxehta dhe lufte këta njerëz të shkretë?! Luftë për vettingun, luftë për krimin, luftë për Saimirin, luftë se njani i ka thënë njanit kush ia dogji makinën atij kriminelit; se kush e hodhi në det gomonen, se kush e nisi aeroplanin, se pse e dogji shtëpinë e vjehrrit… O zot sa shumë luftë…

Asgjë nga këto nuk iu takon njerëzve të shkretë, por këta hyjnë në këto punë dhe nuk mbyten në det veç pse veshin ‘naivitetin’ si kostum palombarësh.

Se në fund të fundit, ç’u duhet të gjithëve Teatri!? (Kur them ‘të gjithëve’, them për 99.99 për qind të popullsisë që lindin e vdesin dhe nuk shkojnë kurrë në Teatër). Por meqë e kanë marrë përsipër ‘sfidën’ ndaj vetes që të hyjnë në këtë punë arti, atëherë vallë si shpëtojnë nga ‘plasja’!?

Fatmirësisht, njerëzit janë naivë.

Naivë që në momentin kur besojnë se në një jetë tjetër të mëparshme paskan pas shkuar në Teatër dhe ‘janë kënaqur’ kur kanë takuar vetë Eskilin. Tani shmallen me dramaturgun e lashtë, u shesin mend shokëve kur pinë raki që në ora gjashtë të mëngjesit, dhe pastaj drejtohen për të mbrojtur godinën e Teatrit në Tiranë. Po të mos kishin hyrë në këtë ‘thes’ naiviteti, me siguri do të kishin kuptuar se nuk është ‘Teatri’ problemi i parë. Para ‘Teatrit’, të mjerët kanë njëmijë punë…, o zot sa punë të rënda: Puna e punës që askush nuk punon!, puna e shtëpisë që dikush  ka por edhe nuk e ka!; puna e skamjes dhe e nivelit të ulët të jetesës!; puna e shkollës!; puna e shëndetit- që njerëzit mund të vdesin nga një grip!…. Mirëpo për fat të mirë, njerëzit janë naivë dhe eglendisen me Teatrin.

Me Teatrin po merren me kaq pasion, saqë mund të ‘plasin’ sikur të mos ishin naivë. Por janë naivë dhe, edhe pse shkojnë për të mbrojtur Teatrin, nuk duan t’ia dinë as për Teatrin. Të gjithë, përtej Teatrit  shikojnë tjetër gjë: O ndonjë favor pse bëjnë performanca oponence dhe shqyhen në mikrofona; ose shikojnë në sy Partinë që do t’u japë ndonjë gjë nesër… Se po ta kishin seriozisht ‘Teatrin’, deri tani o do të kishin zgjidhje!, o do të ishin kthyer në shtëpi!, o do të kishin plasur!.

Tani, dmth., që dje, kur presidenti i Republikës nuk firmosi ligjin mbi shembjen e  Teatrit, këta kanë rënë rehat; që mbrëmë fëmijët janë qetësuar sepse prindërit u vijnë në shtëpi më të kënaqur. Po të mos ishin kaq naivë, as që mund të besonin se vendimi i Presidentit nuk do të thotë ‘zgjidhje’ për Teatrin. Po të mos ishin naivë, do ta kishin kuptuar se ‘megjithatë, Teatri i vjetër do të shembet dhe do të ngrihet i riu’.  Kjo është e sigurt. Por naivët nuk kërkojnë kurrë të sigurtën, kërkojnë një kurë për trurin e tyre.

Ja ku është kura për naivët:

Opozita politike bëri zhurmë mbi ‘Teatrin’ për të larguar vëmendjen nga punët e mëdha të jetës së vërtetë; dhe kështu i bëri një shërbim qeverisë. Qeveria ia shpërblen opozitës, por fshehurazi. Opozita i bëri shërbim edhe vetes, sepse çimenton pozitat e liderit…, a ka burrë që ta heqë më liderin që bëri ‘luftën për Teatrin?” Naivët e morën si betejë të fituar për vete.

Pas, opozitës, vetë qeverisë i duhej zhurma për Teatrin; madje i duhej edhe kundërshtimi i Presidentit. Zhurma i duhet për të thënë se ‘kemi kundërshtime demokratike’ në punët e shtetit. Ndërsa kundërshtimi i ligjit nga presidenti duhet për ‘ta mbyllur këtë punë paqësisht…”.

… A u kënaqët të gjithë?… Mirë, atëherë shkoni në shtëpi se erdhi gushti për plazhe… Kur të ktheheni ‘shpikim’ një Teatër tjetër. Naivët kanë nevojë gjithmonë për një kurë.

Veritas.com.al/