Kjo e martë është dita më e shenjtë për besimtarët myslimanë, të cilët kremtojnë sot Kurban Bajramin. Ceremonia nisi herët në mëngjes, ku, ndryshe nga një vit më parë, qindra besimtarë myslimanë falën namazin në Sheshin Skënderbej dhe dhjetëra të tjerë festojnë dhe kryejnë faljet në çdo qytet të vendit.
Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, në fjalën e e vui theksin te familja, si bërthama e shoqërisë, ku tha se duhet të kthehet vëmendja dhe të ketë reflektim, ndërsa kërkoi më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve.
Pas faljes, besimtarët e pranishëm shkëmbyen mesazhe të shumta urimi ndërmjet tyre. Kurban Bajrami festohet sot në gjithë vendin, ku në mëngjes herët, në qytetet kryesore besimtarët u falen duke iu drejtuar Zotit me lutje për më shumë paqe dhe harmoni.
Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme për të gjithë botën islame. Kjo festë simbolizon sakrificën dhe mëshirën e madhe për afrimin me zotin.