Kompozitori Limos Dizdari ia ka dalë të fitojë betejën me sëmundjen pas një muaji qëndrimi në spital. Lajmin e mirë e ka bërë me dije vajza e tij Alda përmes një postimi në rrjete sociale.

Teksa falenderon stafin mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”, Alda tregon të gjithë vështirësitë që kaloi i ati duke nisur nga problemet me mushkëritë, qëndrimi në intubim tek vënia e katër unazave në zemër për të bërë të mundur funksionimin e saj. Sipas Aldës, mjekët vunë muzikën e tij në sallën e reanimacionit që t’i ngrinin humorin në ato çaste të vështira për jetën e tij.

“Nuk kam fjalë të falenderoj mjekët dhe gjithë stafin në reanimacionin e spitalit Shefqet Ndroqi, të cilët si heronj të vërtetë luftuan dhe sollën në jetë babin tonë Limos Dizdari. i ishte i intubuar që nga data 2 Maj dhe shumë shpejt u pa se kishte jo vetëm mushkërite pa funksion po edhe një zemër që kishte bërë infarkt akut të përgjithshëm. U vendos me shumë shpejtësi që zemrës t’i viheshin katër unaza për të bërë të mundur funksionimin e saj dhe në date 13 Maj ne familjarët nënshkruam lejen që ai të futej në operacion i intubuar. Unë bleva biletën dhe u përgatita për një funeral. Por mjekët bënë mrekulli atë dite, mjekët por edhe shpirti i pamposhtur i tim ati. Ata e përmbushën me sukses operacionin dhe ai jetoi. Një staf i tërë iu dedikua për javë të tëra.

Me shumë dashuri, entuziazëm, bënë çdo gjë, bile edhe e mbushën sallën e reanimacionit me muzikën e tij, që t’i ngrinin humorin. Një ndër njerëzit më të spikatur, që sa herë hynte në sallë përçonte dritë, forcë dhe shprese ishte doktoreshe Alma Cami, e papërkulur, asnjëherë e ndrydhur nga momentet delikate ku jeta e pacientit ndodhej”, shkroi Alda.

Ndër të tjera thotë se ishte përgatitur për funeral, por mjekët realizuan me sukses operacionin. Teksa shpreh falenderime për ta, Alda i premton se do të vijë një ditë për të luajtur koncert vetëm për ta që t’i shprehë mirënjohjen.