SHQIPËRI- Nis punimet Forumi i Investimeve “BE-Ballkani Perëndimor”. Ky forum, i cili po mbahet në Tiranë ka bërë bashkë liderët e Bashkimit Evropian, ato të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe njerëz nga bota e biznesit.

Në hapje të punimeve, kryeministri Edi Rama tha se Ballkani Perëndimor nuk është oborri i pasmë i Evropës, por një horizont i ri, i cili duhet merret në konsideratë serioze nga familja e madhe europiane.

“Historia e Evropës dhe Ballkani Perëndimor është shkruar me gramatikën e pritjes, në një pikë të caktuar u bë dëshpërues. Shqipëria dhe RMV, u bënë rimishërimi i Vladimir dhe Estragonit , megjithatë nuk ndalëm së ëndërruari momentin kur historia do ndryshonte dhe kurrë nuk reshtem së punuari dhe kur ky moment do vinte dhe të na gjente të përgatitur.

Shkoi pikërisht kështu kur momenti erdhi, ishim gati të nisnim së bashku me Komision Evropian procesin e negociatave që nuk mund të ishte më intensiv, më çlirues nga fantazmat e së shkuarës.

Nga kërkesa jonë për anëtarësim te oreksi ynë për rritje, po përvijohet me një hartë e re, jo në letër, por në hapin tonë të të ardhurit bashkë dhe më afër BE me fluksin e turistëve dhe të investimeve evropiane dhe në zgjimin e një ideje të thjeshtë, por të fuqishme që Ballkani Perëndimor nuk është oborr i pasmë i Evropës dhe as lagjja e tij e dorës së dytë, por një horizont i ri.

Një horizont të ri, që Evropa mund  zbulojë shkathtësinë, oreksin e saj dhe dashurinë për jetën dhe paqen”, tha Rama.

I mbështetur nga Komisioni Europian, ky forum synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE)./abcnews.al