Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj është dënuar me 4 vite burg për shpërdorim detyre për shkak të tjetërsimit të pronave te ”Rana e Hedhun” në Shëngjin.

Po ashtu me 4 vite burg është dënuar edhe ish-kryetari i qarkut Gjok Ndoka, ndërsa me 2 vite u dënua ish-drejtori i Hipotekës, Artan Daja. Gjykata ka dhënë edhe një vit burg për ish-nënkryetarin e bashkisë Enver Hafizi.

Frrokaj i cili përfaqësonte siglën e Partisë Demokratike në zgjedhje, më parë u akuzua nga Prokuroria, së bashku me 18 të tjerë për tjetërsimin e pronave teksa për grupin në total u kërkuan 43.6 vite burg.

Ai u arrestua në 2018 ndërsa më pas u la në arrest shtëpie. Më 2015 Frrokaj fitoi zgjedhjet lokale në Lezhë pasi mposhti Viktor Tushen e LSI.

Katër vite më pas ai nuk u fut në zgjedhje pasi Partia Demokratike bojkotoi 30 qershorin e 2019.

Tashmë ai duhet të vuajë dënimin prej 4 vitesh burg për shpërdorim detyre gjatë kohës kur ishte kryebashkiak.

VERITAS.COM.AL/