Shkrimtari Ismail Kadare është vlerësuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron me titullin më të lartë shtetëror, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Promovimi civil i Legjionit të Nderit më 1 janar mbledh 487 njerëz “të ndarë midis 395 kalorësve, 73 oficerëve, 13 komandantëve, 4 oficerëve të mëdhenj dhe 2 kryqeve të mëdha”.

Kadare është mes 4 oficerëve të mëdhenj.

Me anë të dekretit presidencial të 31 dhjetorit 2019, Kadare i cile jeton në Francë është nderuar nga Emmanuel Macron me titullin e lartë “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit’.

“Është një traditë për datën 1 janar, ku personalitete të njohura të kulturës dhe sportit bëhen pjesë e promovimit të Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit”, shkruan legifrance.gouv.fr.

Sociologu Claudine Herzlich dhe egjiptologu Christiane Ziegler janë ngritur në rangun e oficerit të madh, ashtu si dhe shkrimtari shqiptar Ismaïl Kadaré dhe shkrimtarja franko-bullgare Julia Kristeva shkruan gazeta franceze Le Monde.

Themeluar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802, Legjioni i Nderit është më i larti i dallimeve kombëtare franceze. Sot, ajo ka 92,000 anëtarë, të shpërblyer për meritat e tyre të shquara në shërbim të kombit.

VERITAS.COM.AL