Nga: Frrok Çupi/

Për këtë të vjen plasja: Si nuk u bënë burra këta njerëz që të përballen me tufanin; dhe le të bien! Por të përballen një herë me tufanin! Gjithmonë mbetën prapa gardhit… Sa fryn një erë e lehtë, iu zbulon fytyrën …

Asgjë më shumë nuk do të ndodhë me votën që hodhën kundër Amerikës.

Këta u zbuluan se nuk janë partnerë të besueshëm.

Aq shumë sa bëri Amerika për kombin shqiptar!, këta i hodhën gurë kishës një ditë. Sa herë e kanë pasur punën keq me ardhjen në pushtet, janë betuar se ‘kemi Amerikën me vete’. Sa herë dalin para popullit, garantojnë se ‘e kemi sigurinë nga Amerika’ dhe marrin një foto me presidentin. Asnjëherë nuk ka pasur një numër telefoni për Shqipërinë në Bashkimin Europian; në Amerikë mund të thërrasim edhe pas mesnate. Por sot gjithë ditën kam pritur që nga Prishtina të kishte një reagim ndaj vendimit të qeverisë së Tiranës kundër Amerikës. Të paktën të kishin thënë: “Ju lumtë, vëllezër!”. Po këta thonë gjithë ditën se Amerika na dha lirinë! Po këta nesër do të telefonojnë Uashingtonin sapo të arrestojnë presidentin Thaçi diku rrotull në Europë… Po mirë, vëlla, po ti nuk ke asnjë mundësi që ‘ditën e keqe’ të jesh me atë që do të vijë të të lirojë nga burgu?… Këta nuk besohen më, as në Prishtinë, as në Tiranë.

Këta u zbuluan se nuk janë as sa krimbi i bardhë.

Krimbi i bardhë që shëtit i verbër, e ka një kualitet: Kur del nga shkëmbi , e ndërron ngjyrën dhe i përshtatet gurit tjetër. Këta as këtë kualitet nuk e kanë; këta mbetën komunistë të Enver Hoxhës, të pandryshuar! Vota kundër Shteteve të Bashkuara, pa dyshim, është një pasion i mbartur nga hoxhaizmi. Qeveria shqiptare është e mbingarkuar me bijtë e nomenklaturës byroiste që kanë gjak të kuq, dhe kanë në tru anti- amerikanizëm. (Gjatë diktaturës, të burgosurit i shanin si me ‘gjak blu’). Ministri i Jashtëm, biri i një komunisti primitiv, tha sot se ‘mbështetemi në dokumentet e viteve të komunizmit’ 1968 dhe 1980, për votën.

Deri tani ishin kamufluar si ‘pro-amerikanë’ derisa morën këto garanci komuniste: a)Maxhorancë absolute në Kuvend, b) kamxhik mbi një opozitë kockë e lëkurë, c) krahë të ngrohtë nga liderët anti- europianistë të BE dhe, d) mbështetje nga financuesi i komunizmit të rikthyer, Soros.

Edhe Çekia, Polonia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Letonia, etj., kanë qenë vende komuniste, por mundën të përshtaten ‘në gurin tjetër’; sot votuan pro- Amerikës… Këta tanët, të ishin të paktën sa krimbi i bardhë që ndryshon dhe i bindet nënës natyrë.

Këta besën e kishin kthyer në ‘lojalitet’, por u zbuluan.

Në shenjë servilizmi ndaj Perëndimit, edhe fjalën e vjetër të adoptuar nga turqishtja ‘besë’, e kthyen në ‘lojalitet’. Sa fryu një erë e lehtë i ktheu te Turqia. Analistët e votës së djeshme po tregojnë se Tirana veproi si karrocë e Stambollit. Jo thjesht se humbën ‘lojalitetin’, por edhe se u bashkuan në radhët e Islamikëve që kurrë nuk kanë qenë ‘luajalë’ me Amerikën… As kjo nuk ka rëndësinë kryesore. Rëndësia është se bota shikon e qesh: “Ja ‘lojaliteti’ i shqiptarëve…

Cili nga këta të tjerët që po qesh sot, mund t’i besojë atij që u bë ‘mostër’? A mendoni se Europa do t’u besojë pas kësaj? Sa fryu një erë e lehtë, u zbulua e vërteta e mosmirënjohjes.

Këta humbën edhe Sorosin e tyre.

Vetë miliarderi amerikan që po ngre rerën e Saharasë kundër presidentit Trump dhe konservatorëve në gjithë botën me idenë  për të ri-ndërtuar klasën komuniste, nuk do ta donte këtë sjellje ‘brutale’ të krijesave të veta. Brutale është sepse nuk ka finesë, as diplomaci, as hije. Si nuk patën sjelljen më të thjeshtë për të mos hequr vellon!? Tani u zbulua komplet skenari i Soros, madje edhe kufijtë e ‘perandorisë’ Soros. Në Tiranë ai ka një qeveri që e ka nxjerrë nga duart e tij; por ka edhe një opozitë. Vetëm një sjellje ‘brutale’ e politikës e zbulon këtë menjëherë. Soros nuk do ta donte veten që u besoi këtyre gjithë ‘bombën’ e tij. Tanimë dihet ku është, në Tiranë…

U zbuluan të gjitha, me një erë të lehtë që fryu. Vetë Amerika e kishte lëshuar votën si ‘lakmues’, madje edhe deklaroi: “Të shikojmë kush është kundër…”. Asnjë vlerë tjetër nuk kishte.

Veritas.com.al/