Frrok Çupi
Çfarë janë të parët dhe çfarë janë ‘çështjet’?
Shtetet e Bashkuara, përmes së përfaqësisë së vet diplomatike në Tiranë, sot bëri një emërtesë të re mbi anëtarët e mafies shtetërore. Aty nga viti 1996, diplomacia e Perëndimit i kishte quajtur ‘gangsterë’ dhe ‘regjim gangsterësh’. Mirëpo ata vazhduan punën e tyre derisa dogjën vendin, ekonominë dhe stabilitetin në vitin 1997. Pas 23 vjetësh janë po këta, por të elaboruar, dhe po tentojnë ta zhysin vendin përsëri në fatkeqësi, me qëllim që të shpëtojnë krimet e tyre.
Mirëpo çuditërisht, sot këta quhen vetëm thjesht ‘çështje të rëndësishme’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Domethënë Amerika i quan sende pa shumë vlerë, ose thjesht ‘çështje’, këta që po kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e vendit. Njësoj si poeti Majakovski, aty nga fillimi i shekullit të kaluar që thoshte se njëshi është ‘send i kotë’. Pra edhe këta, edhe pse në krye të shtetit ose në krye të mafies, ose në krye të medias, quhen ‘çështje’ nga aleati ynë, SHBA.
Pse ka ndodhur kjo? Vallë SHBA do që t’i thotë popullit shqiptar të mos ketë frikë nga përbindëshat e korrupsionit dhe mafies? Kjo është njëra anë. Por ana tjetër, kaq e afërt, është se këta vërtet janë thjesht ‘çështje’, madje aspak më shumë para Drejtësisë. Le të jetë tjetri edhe president i Republikës, ose edhe miku i tij pronar i fuqishëm në media, por kur ka kryer krime, ka trafikuar drogë dhe njerëz, ka rrezikuar paqen e njerëzve të lirë, ka dhunuar Kushtetutën e vendit…, atëherë ky është thjesht ‘një çështje’ para Drejtësisë.
Shtetet e Bashkuara sot paralajmëruan edhe se nuk pinë më ujë ‘të pandehurit që kërcënojnë’, as ata që penguan Drejtësinë dhe Drejtësia të veprojë ‘pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur’, tha ambasadorja, zonja Yuri Kim. Pak kohë më parë, zonja Kim, në emër të Shteteve të Bashkuara kishte lëshuar thirrjen ndaj dikujt në krye të shtetit që ‘po pengon Reformën në Drejtësi’ dhe menjëherë i shkoi në zyrë presidentit të Republikës. Ndërsa sot jemi një hap më përpara: Shtetet e Bashkuara përkrah ‘fuqishëm’ SPAK dhe Policinë. ‘Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre re për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë’, kërkon ambasada në emër të Shteteve të Bashkuara. Tani nuk është më nevoja për t’i marrë dorën dikujt apo për të trokitur te Presidenti.
‘Të pandehurit, e mëdhenj, ose ‘çështjet e rëndësishme’ nuk mund të mposhten pa ndihmën ne Shteteve të Bashkuara. Aleati i madh i kombit tonë, para të gjithëve, kishte kuptuar se krimi 30 vjeçar i ardhur nga gangsterët e vitit 1996 e deri në kodin mafioz ‘me qetësi e dashuri’, po i zinte frymën individit, familjes, kulturës, ekonomisë dhe të ardhmes së vendit. Armiku ynë shqiptar nuk mund të mposhtej pa fuqinë e madhe të Shteteve të Bashkuara. Sikur dikush prej nesh të guxonte të prekte fajet e presidentit të vendit ose trafiqet e pronarit të medias, atëherë do të na bënin copë copë. Siç edhe bëri presidenti që akuzoi kritikët si ‘agjentë të UDB’. Pas kësaj akuze presidenciale, dikush mund ta qëllojë kritikun në rrugë për vdekje, ose duhet të burgoset njeri prej tyre: O agjenti, o presidenti. Sapo SPAK preku pronarin e madh të medias që ‘Mercedesi i ka dalë nga moda’ u ngritën të gjithë gazetarët shërbëtorë në mbrojtje të mafies. Media po kthehej në qen roje të mafies dhe mafia po kthehej në dashuri ‘popullore’ si në Sicilinë e shekullit të kaluar.
Me gangsterët dhe ‘çështjet e rëndësishme’ u bashkua edhe një pjesë e madhe e opozitës, sidomos lakenjtë.
Ja tani ku jemi: Shtetet e Bashkuara prezantuan pozicionin e vet në krah të Drejtësisë dhe kundër mafies… Por megjithatë mafia e rafinuar në shtet mund të bëjë manovra e vetëm të ulë veshët…. Por nuk e besoj se ka shpëtim.
VERITAS.COM.AL