Christopher Hill, një emër i mirënjohur për publikun kosovar, do të emërohet ambasador i Shteteve të Bashkuara në Beograd, dhe do të zë vendin e Anthony Godfrey-t, i cili pa papërfunduar mandatin e tij, do të hiqet nga posti i ambasadorit.
Christopher Hill ishte i Dërguari i Special i ShBA-së në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, në negociatat për Kosovën që i paraprinë Konferencës së Rambujesë.
Kjo gjë, ka shkaktuar jo pak shqetësime në publikun serb, pasi që Godfrey, ambasadori në ikje, nuk ishte kritik ndaj autoriteteve të Beogradit, ndërsa Christopher Hill, që do të zë vendin e tij, njihet për qëndrimet dhe pozicionet e tij të kamotshme ndaj Kosovës.
“Ne e njohim shumë mirë atë”, ishte komenti i parë që tha Sreçko Dukiç, ish-diplomati serb që ishte aktiv në kohën e Hill, kur u pyet se si e vlerëson emërimin e tij të ardhshëm në Beograd.
“Në diplomaci, ai është negociatior i dorës së parë”, potencoi Dukiç.
”Në atë kohë ai paraqitej si dikush shumë fleksibil, në fakt ishte shumë i ashpër dhe i çuditshëm. Por, tejet i suksesshëm”.
Dukiç në një intervistë për mediumin serb Nova.rs, pohon se Garda e Vjetër diplomatike amerikane, po kthehet.
“Joe Biden po i kthen gardianët e vjetër të diplomacisë amerikane. Christopher Hill është specialist i diplomacisë dhe ka marrë pjesë në ngjarjet më të rëndësishme në këtë gjë. Zgjedhja e tij, s’është për t’u çuditur”.
Ish-diplomati serb thotë se Hill-it, askush nuk ka nevojë t’ia mësojë terrenin.
”Atij s’i duhet ciceron. Ai terrenin e njeh shumë mirë, dhe është e logjikshme që ai do të vazhdojë aty ku e ka lënë para arrdhjes së Trump në krye të ShBA-së”.
Tema kryesore është zgjidhja e çështjes së Kosovës, thotë ai, dhe se përfshirja e të Dërguarit të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë gjithashtu tregon se prania e SHBA në rajon po forcohet.
Hill njihet për kontributin e tij në Kosovë gjatë viteve 90-ta, për çfarë edhe ishte nderuar me Çmimin Robert C. Frasure për Negociatatat për Paqe në Kosovë.
Christopher Hill është bashkëpunëtor i afërt me Gabriel Escobar, të emëruarin Zëvendës Ndihmës Sekretar në Zyren për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan.
Këto ndryshime në përfaqësuesit diplomatikë në Ballkan po interpretohen si një përpjekje nga administrata e Joe Biden për të forcuar praninë amerikane në rajon dhe të përfshihen më aktivisht në zgjidhjen e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, për të cilën Gabriel Escobar kohëve e fundit vizitoi Brukselin, ku të dy vendet po zhvillojnë dialog të sponsorizuar nga BE.
Ndërsa Anthony Godfrey, ambasadori në largim i ShBA-së në Beograd njihej kryesisht si një njeri që s’është shumë kritikues ndaj Beogradit dhe si dikush që nuk mirret shumë me kritika ndaj gjendjes demokratike, ose temat me peshë të mëdha politike./AP/