Ka përfunduar puna për qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe në Shëngjin. Sipas medias italiane “il Giornale”, qendra në Gjadër është dorëzuar të enjten (10 tetor) për testim, ndërsa qendra pritëse në Shëngjin ishte tashmë gati. Dy qendrat do të jenë funksionale në fillim të javës së ardhshme, kur do të fillojnë të vijën edhe emigrantët e parë.

Qendrat do të strehojnë deri në 3800 persona të rritur në të njëjtën kohë, të cilët do të ndiqen në procesin e aplikimit për të kërkuar azil në Itali. Nëse nuk kualifikohen për azil, do të deportohen në vende “të sigurta”, sipas marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë.

Në total, Italia do të sigurojë 500 veta personel, ku 45 do të jenë oficerë policie dhe ushtarakë, punonjës shëndetësorë dhe staf nga Ministria e Drejtësisë, me një kosto të vlerësuar prej 252 milionë euro.

Qendra portuale e Shëngjinit fillimisht do të ketë vetëm 880 vende dhe është vendi ku do të përpunohen të gjitha mbërritjet. Ata që kualifikohen për t’iu shqyrtuar kërkesa për azil do të zhvendosen më pas në qendrën në Gjadër.