Gentian Bejtja, një eksponent i njohur i botës së krimit, i ka shpëtuar për herë të tretë një atentati të kryer në drejtim të tij, pak pas mesnatës së datës 4 korrik, në banesën e tij në fshatin Larushk të Krujës, ndërsa nga plumbat ka mbetur i vrarë kunati i tij Ramazan Sino (vëllai i gruas) dhe i janë plagosur dy djemtë e mitur.

Policia thotë se Ramazan Sino 29-vjeç, bashkë me nipat e tij Alvi Bejtja,13-vjeç, dhe djali tjetër 8 vjeç (djemtë e Gentian Bejtjas) u qëlluan në oborrin e banesës. Ramazan Sino ndërroi jetë në vend si pasojë e plagëve të marra, ndërsa i mituri u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës. Burime për Report Tv nga Urgjenca bëjnë me dije se 13-vjeçari është në gjendje të rëndë për jetën, në intubim, ndërsa djali tjetër është në gjendje më të lehtë.

Dyshohet se autorët e atentatit kanë qenë 3 persona, të cilët i kanë zënë pritë Gentain Bejtjas në hyrje të banesës së tij, thonë burimet për gazetarin e Report Tv, Julian Shota. Autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash kallashnikovi në drejtim të Gentian Bejtjas, sapo ai ka zbritur nga makina. 42-vjeçari ka qenë në makinë bashkë me familjen e tij.

Pas atentatit, në Tapizë te Lapidari rreth orës 00:40, është gjetur i djegur një automjet, dyshohet tip “Volkswagen”, i cili rezulton i vjedhur dhe mund të jetë përdorur nga autorët për të kryer atentatin. Brenda makinës së djegur krejtësisht janë gjetur tre kallashnikovë.

Kush është Gentian Bejtja
Gentian Bejtja i ka shpëtuar edhe më parë atentatit, ku në vitin 2022, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka. Në atë kohë Gentian Bejtja mbeti i plagosur. Ai i ka shpëtuar edhe në 2016 një tjetër atentati me eksploziv në makinë ku edhe në atë kohë u dëmtua.

Gentjan Bejtja, ish punonjës policie, rezulton person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë. Ai është hetua edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013.

Lajm në përditësim…