Pas ambasadës së SHBA në Tiranë, edhe ambasada gjermane reagon lidhur me protestën e opozitës, që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 20:00. Përmes ambasadores Susanne Schütz, Gjermania i bën thirrje opozitës të protestojë paqësisht, duke sqaruar se dhuna e çdo lloj forme është e papranueshme.

“Liria e tubimeve dhe e drejta për të demonstruar paqësisht janë kolonat e çdo demokracie. Ndërsa dhuna e çdo lloj forme është e papranueshme! Duke patur parasysh demonstratën e njoftuar për mbrëmjen e sotme u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të respektojnë ligjet në fuqi.

Prej organizatorëve pres të angazhohen me të gjitha mundësitë për një zhvillim paqësor të protestës si dhe të jenë në lartësinë e përgjegjësisë së tyre përmes apelit publik për protesta paqësore”, thekson ambasadorja Schütz.

Më tej, kryediplomatja gjermane flet dhe për përplasjet e ditëve të fundit në KZAZ-të e disa bashkive, si dhe protestën e mbrëmjes së kaluar në Shkodër. Lidhur me këto zhvillime, ajo shprehet prerë se një gjë është e qartë: Mësymjet e dhunshme nuk janë mjete legjitime të përballjes politike.

“Me shqetësim të madh jam duke ndjekur ditët e fundit edhe trazirat e dhunshme në vende të ndryshme të Shqipërisë. Një gjë është e qartë: mësymjet e dhunshme nuk janë mjete legjitime të përballjes politike.

U bëj thirrje me forcë të gjitha palëve të heqin dorë edhe nga sulmet verbale e të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për vendin”, deklaron diplomatja.

VERITAS.COM.AL/

Gjerm