Gjermania pritet të mbajë zgjedhje të parakohshme më 23 shkurt, pas arritjes së një marrëveshjeje të martën në mëngjes midis fraksioneve parlamentare të socialdemokratëve dhe konservatorëve të opozitës.

Data e zgjedhjeve duhet të konfirmohet zyrtarisht nga presidenti Frank-Walter Steinmeier, por kjo pritet të jetë një formalitet.

Qeveria gjermane ra pasi kancelari Olaf Scholz i socialdemokratëve shkarkoi ministrin e tij të financave, Christian Lindner, nga FDP, një parti pro-biznes.

Shkarkimi ishte rrjedhojë e një grindjeje të gjatë disa mujore lidhur me mënyrën e menaxhimit të deficitit buxhetor shumë miliardësh.

Scholz do t’i drejtohet parlamentit të mërkurën dhe pritet të shpallë së shpejti datën e votëbesimit të qeverisë, të cilën koalicioni i tij pritet ta humbasë, duke hapur kështu rrugën për zgjedhje të parakohshme.

Votëbesimi në parlament mund të bëhet më 18 dhjetor.