Administrator LSI-ist i njësisë bashkiake nr. 2, Elez Gjoza, është kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës me akuzën se regjistroi 70 persona (votues) në mënyrë fiktive sikur ishin banorë të banesës së tij.
Policia njoftoi:
‘Në datë 08.06.2017, specialistët e Seksionit të Hetimit të Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë referuar materialet proceduriale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit Elez Gjoza, 58 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i Njësisë Bashkiake nr 2. Nga informacionet e marra në rrugë operative, administratori dyshohet se nga viti 2013 e në vijim, ka regjistruar falsrreth 60-70 shtetas shqiptar, të cilët janë regjistruar me të njëjtin kod banimi në banesën në pronësi të shtetasit E.Gj.
Dyshohet se transferimi i gjendjeve civile të këtyre shtetasve dhe regjistrimi i tyre pranë Njësisë Bashkiake nr 2, është kryer me qëllimin ndikimin në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë në datë 25.06.2017, duke u premtuar këtyre shtetasve vende pune në këmbim të votës. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Korrupsionit, po punojnë për saktësimin e gjeneraliteteve të këtyre shtetasve.
Veritas.com.al/