Ditën e mërkurë, në Shqipëri do të vijnë 7 eurodeputetë të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ku në agjendë do të kenë krizën politike në Shqipëri.

Pikërisht të enjten ditën kur opozita do të zhvillojë protestën e radhës europarlamentarët do të kenë dhe konferencën për mediat.

Kreu i delegacionit dhe Eurodeputeti i Partisë Popullore, Tune Kelam,  i ka kërkuar qeverisë dhe opozitës që të zgjidhin këtë situatë me anë të dialogut konstruktiv.

“Ne dënojmë me forcë retorikën politike që nxit dhunën dhe i kërkojmë opozitës që të riangazhohet me jetën parlamentare. Qeveria dhe opozita duhet ta kapërcejnë këtë situatë nëpërmjet dialogut konstruktiv.”

Eurodeputetët parashikohet të takojnë Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD Lulzim Basha. Pas Shqipërisë 7 eurodeputetët do të udhëtojë drejt Shkupit.

Sot zëdhënësja Maja Koçijançiç, në përgjigje të interesit të gazetarëve gjatë konferencës së përditshme, ripërsëriti edhe deklaratat se djegia e mandateve nga ana e opozitës në Shqipëri pengon zhvillimin e demokracisë. Megjithatë ajo kërkoi nga qeveria të përfshihet në bisedime

Koçijançiç: ‘Parlamenti është vendi ku reformat duhet të diskutohen dhe ecin përpara. Ndaj ky vendim shihet si kundërproduktiv dhe shkon kundër zgjedhjes së qytetarëve shqiptarë dhe gjithashtu cenon përparim që vendi ka bërë në drejtim të Bashkimit Evropian. Ne presim që të gjithë anëtarët e Parlamentit të Shqipërisë të mbrojnë idetë dhe parimet e demokracisë dhe të vazhdojnë që të shërbejnë në Parlament dhe të shmangin thirrjet për nxitjen e dhunës’.

Veritas.com.al/