Gjykata e Posaçme e Apelit nuk e ka pranuar kërkesën e ish-kryeprokurorit shqiptar, Adriatik Llalla, për pezullimin e dënimit të tij me burg në masën dy vjet arrest.

Vendimi u dha nga gjyqtarja e Apelit, Nertila Kosova, pas shqyrtimit të kërkesës së ish-kryehetuesit shqiptar, vendndodhja e të cilit ende nuk dihet pas shpalljes së masës së sigurisë ndaj tij.

Llalla, përmes avokatit të tij mbrojtës, Sokol Hazizaj, apeloi më 18 tetori vendimin e Shkallës së Parë për pezullimin e dënimit me dy vite burg.

Kjo e fundit u kërkua, pasi mbyllja e Llallës në qeli do t’i sillte pasoja të rënda për shëndetin.

Ndërsa më 14 tetor, Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e rrëzoi kërkesën për pezullim dhe shtyrje të ekzekutimit të vendimit, për dënimin e ish-kryeprokurorit Llalla.

Avokati i tij mbrojtës e kishte depozituar kërkesën më 9 tetor 2021.

Ajo erdhi nje dite pasi Llalla u shpall ne kerkim nderkombetar nga Prokuroria e Posaçme SPAK

Më 22 shtator, policia shkoi për të zbatuar urdhrin e arrestit, por Adriatik Llalla, nuk u gjend në shtëpi. Pas kësaj, policia e shpalli në kërkim kombëtar.

Banesa e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla

Vendimi për dënimin e ish-kryeprokurorit qëndroi në fuqi, edhe pas apelimit që ai i bëri çështjes rishtazi.

Llalla është dënuar me vendim të formës së prerë me dy vjet burg dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post dhe funksion publik.

Avokati i tij, Sokol Hazizaj, pasi doli nga seanca gjyqësore e 22 shtatorit, ku Llalla nuk ishte sërish i pranishëm për arsye të pretenduara shëndetësore, deklaroi publikisht, se nuk kishte dijeni mbi vendndodhjen e ish-kryeprokurorit.

Madje, ai shtoi se kishte disa kohë që nuk e kishte parë. Hera e fundit, kur kishte kontaktuar, ishte me rastin e dhënies së një raporti mjekësor, ku shkruhej se Llalla, e kishte të pamundur të merrte pjesë në seancë, pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

Apel pas Apeli

Më 20 maj 2021, Adriatik Llalla do të dënohej nga Gjykata e Posaçme me dy vjet burgim dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post publik.

Ky vendim do të vinte, pasi në shkurt 2021, Gjykata e Lartë pat vendosur të sekuestronte disa pasuri të ish-kryeprokurorit.

Por ai nuk do ta pranonte vendimin dhe do ta apelonte më 3 qershor 2021. Seanca e radhës u caktua në korrik.

 

Megjithatë, në çështjen e 16 korrikut të vitit 2021, avokati mbrojtës i Llallës, Hazizaj, u bë shkak për shtyrjen e vendimit. Ai mungoi pa arsye, për çka u gjobit edhe me 20 mijë lekë.

Seanca u shty me dy javë, për më 30 korrik, po ajo sërish nuk u zhvillua. Shkak u bë sërish mungesa e ish-kryeprokurorit, por këtë herë, ai e arsyetoi mungesën me gjendjen shëndetësore jo të mirë.

Më 9 shtator, avokati Hazizaj paraqiti disa prova të reja në mbrojtje të klientit të tij. Këto prova gjithsesi, GJKKO-ja nuk i pranoi. Ndaj, për një vendim përfundimtar, çështja u shty më 22 shtator.

Tre raste kur Llalla nuk deklaroi shpenzimet

GJKKO-ja, më 4 nëntor, ka zbardhur tri episodet e fshehjes së pasurisë në vendimin për Llallën.

Ky i fundit u shpall fajtor pikërisht për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.

Fillimisht, ish-zyrtari i lartë i drejtësisë akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7 mijë dollarësh për lindjen e djalit të tij.

Së dyti, Llalla nuk ka deklaruar shpenzimet për ndërtimin e katit të tretë të banesës së tij.

Dhe, episodi i tretë, lidhet me financimin e shkollimit të vajzës së tij në Gjermani.

Akuzat ndaj Llallës

Do të ishte Prokuroria e Durrësit, ajo që do të regjistronte procedimin e parë penal për ish-kryeprokurorin Llalla.

Në mars të 2018-ës, mbi të do të rëndonin katër akuza.

E para ishte ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale, më pas e shpërdorimit të detyrës, mosdeklarimit të të ardhurave, si dhe mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi.

Më pas, u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda dhe SPAK. Ai u akuzua nga SPAK-u për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Adriatik Llalla në SPAK
Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit. Ky vendim erdhi pas një kërkese të SPAK-ut.

Në përfundim të hetimit, SPAK vlerësoi se, ndaj tij, provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.

Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vettingu-t.

Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë persona non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.

/