Gjykata e Lartë e ka dënuar ish-zyrtarin e lartë shqiptar me dy vite burg.
Llalla pretendonte se burgosja mund të sillte pasoja të rënda për shëndetin.
Gjatë muajit tetor, avokati mbrojtës i ish-kryeprokurorit do të kërkonte gjithashtu pezullim dhe shtyrje të ekzekutimit të vendimit për dy vite burg nga GJKKO-ja. Kjo kerkese do te vinte nje dite pasi Llalla ishte shpallur ne kerkim nderkombetar nga Prokuroria e Posacme (SPAK)
Asokohe, pezullimi dhe shtyrja lidhej sërish me arsyet shëndetësore.
Llalla ndodhet aktualisht në Itali, ku u vetëdorëzua pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar.
Ish-zyrtari mbetet në pritje të vendimit që do të marrë gjykata pas kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.
Akuzat ndaj Llallës
Do të ishte Prokuroria e Durrësit, ajo që do të regjistronte procedimin e parë penal për ish-kryeprokurorin Llalla.
Në mars të 2018-ës, mbi të do të rëndonin katër akuza.
E para ishte ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale, më pas e shpërdorimit të detyrës, mosdeklarimit të të ardhurave, si dhe mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi.
Më pas, u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda dhe SPAK.
Ai u akuzua nga SPAK-u për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit.
Ky vendim erdhi pas një kërkese të SPAK-ut.
Në përfundim të hetimit, SPAK vlerësoi se, ndaj tij, provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.
Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vettingu-t.
Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.
Apel pas Apeli
Më 20 maj 2021, Adriatik Llalla do të dënohej nga Gjykata e Posaçme me dy vjet burgim dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post publik.
Ky vendim do të vinte pasi në shkurt 2021, Gjykata e Lartë pat vendosur të sekuestronte disa pasuri të ish-kryeprokurorit.
Por ai nuk do ta pranonte vendimin dhe do ta apelonte më 3 qershor 2021. Seanca e radhës u caktua në korrik.
Megjithatë, në çështjen e 16 korrikut të vitit 2021, avokati mbrojtës i Llallës, Hazizaj, u bë shkak për shtyrjen e vendimit. Ai mungoi pa arsye, për çka u gjobit edhe me 20 mijë lekë.
Seanca u shty me dy javë, për në 30 korrik, po ajo sërish nuk u zhvillua. Shkak u bë sërish mungesa e ish-kryeprokurorit, por këtë herë, ai e arsyetoi mungesën me gjendjen shëndetësore jo të mirë.
Më 9 shtator, avokati Hazizaj paraqiti disa prova të reja në mbrojtje të klientit të tij. Këto prova gjithsesi, GJKKO-ja nuk i pranoi. Ndaj, për një vendim përfundimar, çështja u shty më 22 shtator.
Llalla sërish nuk ishte në seancë, me pretendimin se ishte në gjendje të keqe shëndetësore.
Pikërisht 22 shtatori, do të ishte edhe vula e Apelit, i cili përtej mungesës së ish-kryeprokurorit, e la në fuqi dënimin ndaj tij, duke i hapur rrugë policisë për të zbatuar vendimin e arrestimit.
Një dënim që erdhi, por jo me arrestim, pasi Llalla nuk gjendej në banesë.