Gjykata e Lartë italiane i ka dhënë të drejtë qeverisë së Giorgia Meloni, për përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës për emigrantët.

Gjyqtari vendos për rastet individuale, efektivitetin e të drejtës themelore për lirinë personale, por i takon ministrit të punëve të jashtme dhe ministrive të tjera që kanë lidhje me çështjen, të thonë fjalën e fundit për rastet në tërësi.

Vendimi vjen pas ankesave të paraqitura nga qeveria kundër moskonfirmimeve fillestare për mbajtjen e emigrantëve në Shqipëri, të dhëna nga seksioni i emigracionit të Gjykatës së Romës.

Gjykata e Lartë pranoi edhe kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe pezulloi të gjitha masat e dhëna deri më tani, në pritje të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.

Meloni e kishte lajmëruar edhe më parë se Gjykata mund t’i jepte të drejtë qeverisë. Kryeministrja italiane nuk kishte pranuar të tërhiqej nga marrëveshja, pavarësisht sulmeve nga opozita e vendit të saj dhe faktit se Gjykata Europiane e Drejtësisë kishte krijuar pengesa.   Aktualisht dy qendrat pritëse në Gjadër nuk kanë emigrantë, pasi kanë qenë në pritje të vendimeve të gjykatave.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *