Nga Nikola Kedhi

Përse bien kombet? Është një pyetje që njeriut të zakonshëm, në furtunën e jetës së përditshme, nuk i shkon ndër mend ta bëjë. Në fund të fundit, ngjan një pyetje tejet filozofike, e së tepërmi e mundimshme, për dikë që i duhet të fokusohet te familja, të vrapojë për në punë, të llogarisë detyrimet ndaj shtetit, e të kapërcejë një sërë pengesash. Gjithsesi, në momente të caktuara të historisë, individi i përgjegjshëm arrin të manifestojë vullnetin e tij duke menduar për fatet e kombit indirekt dhe me instinkt.

Daron Acemoglu, ekonomist, dhe James A. Robinson, ekspert i shkencave politike, i kanë dhënë përgjigje pyetjes se përse bien kombet duke bërë përgjegjës dobësinë e institucioneve. Njerëzit në momente e rrethana të caktuara gabojnë, ndërsa institucionet e forta, bazuar në principe dhe vlera qëndrojnë të palëvizshme, në themel të kombeve. Por, në thelb institucionet nuk mund të krijohen dhe as rezistojnë pa individin e përgjegjshëm dhe me identitet. (Le të mendojmë për një moment si do mund të shkonte rrjedha e historisë nëse George Washington nuk do të kishte refuzuar propozimin për të qenë mbret i kolonive.) Për më tepër, institucionet e forta qëndrojnë mbi traditën, historinë, kulturën dhe zakonet e një populli. Dhe, nga ana tjetër, falë këtij themeli të palëkundur, krijohet kombi i qëndrueshëm me individë të fortë dhe kështu vazhdon nga brezi në brez forcimi i një kombi.

Në gjysmën e dytë te shekullit të kaluar, për shkak të një armiku të përbashkët, shumica e vendeve të Perëndimit, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çuan më tej forcimin e institucioneve, besimin në Zot, zhvillimin e tregjeve të lira, dashurinë për atdheun, dhe shëndoshjen e raportit zgjedhës-i zgjedhur. Këto forcuan kombin dhe rritën bashkëpunimin e shteteve. Por, pas rënies së Murit të Berlinit, Perëndimi filloi të largohej nga këto vlera dhe principe, duke përjetuar një dobësim të institucioneve, të individit të lirë të Perëndimit dhe kombit dhe duke rritur shtetin burokratik. Ky fenomen u la fushë të lirë aspiratave ekspansioniste të Kinës, Rusisë dhe Iranit.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Evropa Lindore bëri të kundërtën. Atje, procesi i delegimit të vendimmarrjes u rrëmbye me forcë nga sipër, institucionet u shndërruan në shërbëtorë të vullnetit të uzurpuesve të pushtetit, dhe në këtë përçudnim, individi u godit në themel të qenies së vet ndërsa kombi u dobësua në mënyrë tejet të rëndë.

Në Shqipëri, regjimi komunist u mundua, dhe në mjaft raste ja arriti, të bënte një nga krimet më çnjerëzore që ekzistojnë. U përpoq të këpuste fillin historik të kombit shqiptar, në mënyrë që të arrihej deformimi pa kthim i memories historike, kulturore dhe individuale të shqiptarëve, duke i lënë individët jo vetëm në skamje ekonomikisht, por dhe intelektualisht. Në këtë mënyrë, u tentua të krijohej njeriu pa identitet, që vegjetonte dhe i përkiste Asgjësë, dhe që varej plotësisht nga të tjerët, i.e. nga shteti. Pra, individi kishte rënë dhe kur ai bie, atëherë bie dhe kombi. Ata që mbeten janë të paaftë për të reaguar ndaj korrupsionit të Elitave, vjedhjes së pronës private dhe shtetërore, shitjes së pasurive natyrore apo qoftë dhe talljes sadiste që i bëhet nga lart.

Është në natyrën njerëzore që të krijojë lidhje farefisnore dhe ndjeshmërie me mjedisin prej nga vjen dhe me njerëzit e këtij mjedisi. Këto lidhje bëjnë që individi të krijojë vlera dhe principe, të mbrojë dhe të luftojë për tokën e vet, familjen apo komunitetin. Vrulli i kohës moderne, globalizimi si fenomen i kësaj kohe, shtyn njeriun që të braktisë lidhjen me mjedisin, traditën dhe kulturën e vetë, për t’u bërë ajo që quhet rëndom “njeri i botës”. Por, duke qenë se është e pamundur të zëvendësosh lidhjen intime, natyrore, me tokën prej nga vjen, duke sforcuar krijimin e njeriut të botës, globalizimi ka krijuar njeriun e asgjësë, duke kopjuar kështu, krimin e shëmtuar të komunizmit. Natyrisht, dyshimi lind se kjo është e qëllimte, pasi njeriu që i përket të gjithës, dhe në të njëjtën kohë asgjësë, kontrollohet më lehtë.

Vendet si Shqipëria, që u lanë nën sundimin e elitave të ricikluara të komunizmit të cilat nën petkun e një tranzicioni pa fund, përsëritën procesin e komunizmit të uzurpimit të institucioneve, moslejimin e edukimit të vërtetë të brezave të rinj dhe futjen në një cikël të ri të dobësimit të mëtejshëm të individit të përçudnuar nga komunizmi, duke e lënë, jo vetëm të varfër, të indoktrinuar, dhe të keqtrajtuar, por pa identitet dhe pa shpresë.

Heqja e shpresës dhe e identitetit janë krimi i dytë më i rëndë me një popull si i yni. I njëjti fenomen vihet re dhe në vende Perëndimore, por duke qenë se vendet e Perëndimit vijnë nga një histori institucionesh të forta e tradite të qëndrueshme, pasojat atje kanë filluar të duken vetëm vitet e fundit. Ndërsa në Shqipëri, individi është lënë i varfër në tri dekada duke u gënjyer me historinë e arritjes së Bashkimit Evropian si përrallat me kalimin nga socializmi në komunizëm dikur, dhe duke i hequr pak nga pak mundësitë intelektuale të reagimit.

 I gjendur i vetëm, i rrethuar nga një Elitë – në kuptimin ekonomiko politik të vet – tejet e shkëputur dhe përbuzëse, që ka shpartalluar procesin e delegimit të përkohshëm të pushtetit, ka përulur shpirtin antikomformist natyral të njeriut dhe e ka skllavëruar mendimin kritik nëpër kampe në dukje rivale, individi shqiptar është i papërgatitur për sfidat globale. Për të njëjtat sfida, individi Perëndimor e ka aftësinë e gjykimit dhe të kritikës dhe shoqëria atje e ka të mundur të nxjerrë individë -të ashtuquajturit sovranistë, patriotë, antikomformistë – që përpiqen të rikthejnë funksionimin normal dhe natyral të shoqërisë. Duke parë këtë fenomen të jashtëm, dhe duke e krahasuar me pafuqinë e vet, i bindur nga Elita vendase për paaftësinë e vetë intelektuale, individi shqiptar humbet në fund dhe shpresën. Me këtë dredhi të atij që quhet Establishmenti, shoqëria shqiptare prej kohësh ka rënë në apati.
Megjithatë, ka momente përcaktuese gjatë historisë që shërbejnë si thirrje zgjimi. Një ngjarje e tillë ishte zgjedhja e Donald J. Trump. Përmes një fushate elektorale historike, i gjithë planeti pa se si një person i vetëm arriti të frymëzonte miliona individë që ndiheshin të pa përfaqësuar, grabitur, mashtruar dhe irrituar nga pamundësia për të ndryshuar diçka në jetën e tyre. Pikërisht kjo shërbeu si një simbol shprese dhe për popuj të tjerë.

Teksa prej dekadash populli amerikan shihte se si Elita në Uashington dhe Nju Jork,  po i detyronte të braktisnin mënyrën tradicionale të jetesës, të ndryshonin historinë dhe të tradhtonin besimet e tyre fetare, papritur doli një individ i cili u tha se nuk kishin përse të konvertoheshin në diçka që nuk ishin. Presidenti Trump i tha shumicës së Amerikanëve se nëse dikush kujdeset për familjen dhe komunitetin e vet në radhë të pare, nëse vendos prioritetin te siguria kombëtare, nëse një individ beson në Zot, në të drejtën për të shprehur atë që mendon, ashtu si e mendon, kjo nuk e bën atë racist, ksenofob, të prapambetur apo të keq.

Ai tregoi se që një komb të përparojë duhet në radhë të parë të mendojë për veten. Nëse familja, komuniteti, qyteti dhe në fund kombi janë mirë, atëherë mund të ndihmojnë dhe fqinjin, rajonin apo kontinentin. Nga ana tjetër, një komb rimëkëmbet kur populli e shikon qeverinë e vetë si një të punësuar, të cilit i ka deleguar disa kompetenca, dhe nëse nuk i kryen detyrat për të cilat është ngarkuar, atëherë duhet pushuar. Modeli Trump tregon rrugën se si nëpërmjet taksave të ulëta, incentivave për të prodhuar, fuqizimit të individit, qeverisë së vogël, de-rregullimit, respektimit të institucioneve dhe jo dëshirave të personave në qeveri, kombi fuqizohet. Pra, modeli Trump vendos individin në qendër të shoqërisë dhe lartëson procesin e llogaridhënies së të punësuarve të popullit.

Marrëdhënia qeveri-individ shihet si raporti në një kompani i aksionarëve dhe bordit drejtues. Bordi shërben si përfaqësues i interesave të aksionarëve, të cilët janë pronarët e kompanisë. Nëse bordi dështon në përfaqësimin në mirëbesim të këtyre interesave, atëherë largohet dhe zëvendësohet me të tjerë. Në thelb, nuk është një marrëdhënie me ndjenja, por transaksioni, i individëve me interesa të njëjtë. Trump solli pikërisht këtë ide, ku aksionarët në një shtet janë populli, ndërsa qeveria është bordi drejtues. Mandati i parë i Donald Trump, i bazuar në këtë ideologji, rezultoi i suksesshëm, sidomos nga ana ekonomike. Këto politika ekonomike të suksesshme të së djathtës, fare lehte mund të përshtaten në Shqipëri për të rikthyer prodhimin dhe natyrisht konsumin e investimet. Një komb që nuk prodhon është i destinuar të vdesë.

Nga ana tjetër, Donald Trump doli si një alternativë para të majtës amerikane dhe globale që cenon lirinë e shprehjes dhe të besimit, kërkon të vendosë një mendim unik te të gjithë, të fshijë historinë dhe ta rishkruajë atë, të dobësojë institucionet dhe proceset demokratike dhe të vendosë gjyqësinë individuale. Popullit shqiptar iu dha shembulli se edhe pse në dukje i vetëm, kundër makinerive të rënda të Establishmentit, mund t’ia dilet mbanë për të ndryshuar diçka. Ndryshimi nuk vjen nga jashtë. Ai nuk është një mall që mund të importohet, por mund vetëm të prodhohet në tregun vendas. Ndryshimi nis nga rregullimi i raportit parti-votues.

Duke dashur më shumë familjen, pronën, Zotin, komunitetin, fqinjin se sa Partinë, Kryetarin, Qeverinë, Administratën, thyhen zinxhirët e kontrollit nga lart poshtë. Modeli Trump është ai qe e refuzon servilizmin dhe nënshtrimin për një cope vend pune te pamerituar dhe ngre lart dinjitetin e njeriut, nxjerr ne pah aftësitë e gjithsecilit dhe çliron ekonominë dhe kombin nga parazitët qe i zënë frymën. Kur individit i rikthehet dinjiteti, kur i zgjohet dashuria për vendin, kur i rikthehet filli shekullor i memories historike, atëherë ai nuk lejon që qeveria të kthehet në sundimtare, por të jetë llogaridhënëse.

Për më tepër, duke pasur këtë mendësi, individi kupton se më i nevojshëm se tifozllëku partiak, është ngritja e institucioneve të qëndrueshme dhe të drejta, që u mbijetojnë qeverive që vijnë e ikin. Kjo mendësi sjell individë që hyjnë në politikë me misionin për të vendosur institucionet dhe shtetin e së drejtës, për të larguar mbetjet e një regjimi gjakatar dhe vendosjen e kapitalizmit të vërtet. Dhe kjo mendësi bën që populli të votojë pikërisht ata që do të dalin me një platforme të tille dhe që do e kenë seriozisht, nën shembullin që dha Presidenti Trump.

Ndaj, për të përforcuar fuqinë e individit, për të krijuar drejtësinë e institucioneve, dhe për të shtyrë prosperitetin e kombit, është në interesin tonë kombëtar që ky model meritokratik dhe i ndershëm të mbërrijë dhe në brigjet tona.