Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit Krimit të Organizuar (GJKKO), mesditën e 16 dhjetorit, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Avokati mbrojtës deklaroi për mediat se do ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit.

Koka u paraqit në ambientet e Gjykatës, paraditen e kësaj të enjte, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Në dëshminë e tij, ish-ministri theksoi se “nuk e kam shkelur ligjin”.

Më herët, mesditën e 14 dhjetorit, SPAK-u lëshoi urdhër-arrestin për Lefter Kokën, i cili shërbeu si ministër i Mjedisit në vitet 2013-2017.

Arrestimi ka ardhur pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceratorëve.

 

Por, përveç Kokës, janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilëve në vijim pritet që t’iu komunikohet edhe akuza.

Akuza e LSI-së lidhet me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Gjashtë ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI-ja.

E para lidhet me emërtimin e procedurës.

Sipas kryetares së kësaj partie, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.

Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori. Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.

Arsyeja e katërt lidhet me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.

Kush ishte Lefter Koka?

Lefter Koka fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në Qarkun e Durrësit.

Mirëpo, më 1 shtator, vetëm dhjetë ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në Facebook.

Karriera e tij politike ka nisur që në fillimvitet 2000.

Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007.

Më pas, Koka, pjesë e LSI-së, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën, asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.

Në shtator 2017, Koka do të merrte postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i Qarkut Durrës.

Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada./AP/