Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për fatin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, u ndanë në gjashtë vota kundër shkarkimit dhe një votë pro.

Pas tre seancash maratonë në Kushtetuese, mbrëmjen e 15 shkurtit doli vendimi se Meta nuk shkarkohet nga detyra pasi nuk ka kryer shkelje të rënda Kushtetutës.

Rrjedhimisht ajo hodhi poshtë pretendimet e Kuvendit të Shqipërisë – Legjislatura e IX –  të cilët miratuan me 104 vota pro shkarkimit të Presidentit, duke i hapur dyert kështu për të vendosur fatin e tij Gjykata Kushtetuese.

Në publikimin e kësaj të fundit bëhet me dije se vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.

Sipas organit, Legjislatura IX e Kuvendit, ka pasur legjitimitet substancial, në vlerësim të momentit të konstituimit të Kuvendit.

Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

Kushtetuesja vëren në vendim se edhe faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Mes tyre, ajo rëndit edhe faktet që lidhen me pavarësinë e organeve publike apo për shkelje të rendit dhe sigurisë publike.

Të dyja këto të fundit, sipas gjykatës, nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Procesi

Gjykata Kushtetuese do të tërhiqej më 7 shkurt për të marrë vendimin për shkarkimin ose jo të presidentit.

Ajo njoftoi se, brenda 30 ditëve, do të zbardhej vendimi i arsyetuar.

Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, do të deklaronte se Kuvendi ka shkelur procedurën, duke e kthyer procesin tërësisht politik.

Sipas tij, ky organ legjislativ, e trajtonte këtë çështje si “goditje ndaj presidentit”.

Për të, shkeljet procedurale të Kuvendit kanë qenë të vazhdueshme, të shumta, të përsëritura.

“Provat e marra përmes një procesi të rregullt ligjor, janë të papërdorshme dhe të pavlefshme. Të gjitha provat që pretendon Kuvendi janë marrë në shkelje të Kushtetutës. Produkti është nul. Pavlefshmëri, antikushtetuetshmëri”, deklaronte ai gjatë mbrojtjes.