Rikthehet masa e pezullimit për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Pas 3 javësh shqyrtim, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë dot një vendim shumice për padinë e kryeministrit Edi Rama, duke rrëzuar kërkesën, për shkak se 8 gjyqtarët u ndanë në 4 pro dhe 4 kundër.
4 gjyqtarë, sipas vendimit, kërkuan ashtu si kryeministri që për masën e pezullimit të kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi, pasi për nga shkalla dhe intensiteti i saj prek funksionin kushtetues politik të ministrit dhe cenon ndarjen dhe balancimin e pushteteve.
4 të tjerët argumentuan se në masat për të cilat duhet kërkuar autorizim paraprak nga Kuvendi, nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit sipas Kodit të Procedurës Penale, edhe pse pranojnë se kjo masë në vetvete pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.
Kurse njëzëri, gjykata vlerësoi se ministri nuk e ka të garantuar imunitetin edhe pse është i zgjedhur nga qytetarët, pasi ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mbahen përgjegjës nëse e shkelin atë.
Këtë vendim e komunikoi vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji në një takim të mbyllur për mediat, pa praninë e anëtarëve të tjerë, duke refuzuar t’u përgjigjet pyetjes se cilët gjyqtarë votuan pro dhe cilët kundër padisë së kryeministrit.
Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, ishte po kjo Gjykatë Kushtetuese e cila pranoi padinë e kryeministrit për ta shqyrtuar, atëherë gjyqtarët u ndanë 5 me 3.
Por me këtë vendim 4-4, ku nuk u arrit shumicë numerike, Gjykata Kushtetuese në fakt i dha të drejtë Gjykatës së Posaçme për masën e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, kurse qeverisë, ndonëse e rrëzoi, nuk i shpjegoi as se si mund të funksionojë ende normalisht me një zv.kryeministre dhe ministre të pezulluar.
Komente