Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla për pezullimin e dënimit me 2 vite burg. Me anë të avokatit të tij, Llalla, i cili ndodhet në arrati, i dorëzoi një kërkesë GJKKO, duke kërkuar pezullimin e dënimit, me pretendimin se çuarja e tij në qeli mund të sillte pasoja të rënda për shëndetin e tij për shkak të një sëmundjeje që ai vuan prej kohësh. Por kjo kërkesë e Llallës u rrëzua sot nga GJKKO.
Kujtojmë se GJKKO vendosi dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli. Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar disa pasuri.
Ndërkohë nga 8 tetori, Llalla u shpall nga SPAK zyrtarisht në kerkim nderkombetar, pasi Policia e Tiranës nuk e gjeti atë brenda vendit, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.