“Ka rritje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu, edhe në fushën e narkotikëve dhe krimit ekonomik. Ka pasur rritje dhe të veprave penale të dhunës në familje”.
Kështu u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Gledis Nano, në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, të mërkurën e 1 dhjetorit.
Më tej, ai ka deklaruar se veprat penale janë rritur me rreth 5.5%, në afatin kohor 1 janar-31 tetor 2021.
“30% e vrasjeve kanë ardhur si pasojë e dhunës në familje. Policia e Shtetit po punon për përmirësimin e kuadrit ligjor për sa i përket këtij fenomeni”, tha Nano.
Sa i përket kësaj të fundit, Nano ka deklaruar se ka qenë një vit shumë shqetësues.
“Shqetësuese është shifra se 1 mijë e 337 vepra penale janë prej dhunës në familje! Janë lëshuar 2 mijë e 754 urdhër-mbrojtje – 370 më shumë nga viti i shkuar. Nga vrasjet, 16 janë prej dhunës në familje”, ravijëzoi ai.
Gjithashtu, Nano ka raportuar edhe mbi performancën e Policisë së Shtetit.
Përballë Komisionit të Sigurisë, ai tha se, në krahasim me një vit më parë, ka 60% më shumë krime nga grupet e strukturuara dhe organizatat kriminale mafioze.
“Vepra kriminale të kryera nga grup i strukturuar apo organizata kriminale janë 39, 18 prej të cilave janë zbuluar. Në krahasim me vitin e shkuar, kemi 23 vepra penale më shumë. Nga grupet kriminale, 40 janë goditur”, shtoi Nano.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ndal edhe te veprat penale të ndodhura në qarkullimin rrugor, të cilat po ashtu kanë parë rritje.
Nano u ndal edhe te krimi që ndodhi në Fier, ku një 8-vjeçar u vra nga fqinji i tij.
“Sa i përket ngjarjes makabër në Fier të Mateo Vasiut, autori ishte me precedent penal në fushën e ‘vjedhjes’. Nuk ka pasur asnjë kallëzim ndaj tij si i dyshuar për vepra penale në fushën e abuzimeve seksuale, apo dhunës në familje pas dënimit të parë”, sqaroi Nano. “Megjithatë”, ai tha se “Policia po punon për zbardhjen e plotë të krimit”.
Sipas Nanos “janë 893 të mitur të dëmtuar nga vepra të ndryshme penale, sidomos nga aksidente, dhuna në familje, krimet seksuale, 67 të mitur, 1 mijë e 600 të mitur të përfshirë në aktivitete kriminale”.
Në krahasim me një vit më parë, sipas Nanos, sa u përket krimeve seksuale ka shënuar një rënie. Po ashtu, edhe të veprave penale kundër personit dhe kundër pronës.
“2 mijë e 160 vepra penale janë zbuluar për krime ndaj personit. Në sektorin e pastrimit të parave, 400 vepra janë zbuluar dhe kemi 8.5% vepra penale më shumë. Akte terroriste kemi 1.5% vepra penale më shumë. 94.2% e krimeve janë zbardhur”, theksoi Nano.
Në përfundim, Nano ka ritheksuar se Policia e Shtetit është duke punuar për zbardhjen e 120 vrasjeve pa autor, si dhe forcimin e strategjisë dhe sigurisë kombëtare për ruajtjen e rendit.
/Albanianpost.com