Në zgjedhjet e 25 qershorit, Partia Demokratike mori 453,902 vota, ose 28.7% të totalit, duke shënuar dobësim në vlerën minus 2.11%.
Çfarë ka ndodhur nga njëri qark në tjetrin me votat e PD? ‘Shqiptarja.com’ sjell krahasimet nga viti 2013 m3 2017 dhe nga qarku në qark.
Por gropa reale e PD është më e thellë, në qoftë se do të përdoret logjika e thjeshtë se në vitin 2017 u shtuan votat pesë partive që braktisën ngjyrat dhe emrin e tyre për t’u bashkuar me PD: Votat e PR-së së Fatmir Mediut, LZHK-së së Dashamir Shehit, PAA-së së Agron Dukës, PBDNJ-së së Vangjel Dules dhe PDK-së së Nard Ndokës. Këto parti që garonin me logon e tyre në vitin 2013, këto zgjedhje ishin të përfshira në listën e PD-së.
Krahasimi 2013-2017
Në Berat PD ka marrë 16,067 vota, nga 18,601 që kishte në vitin 2013. Pra, ka humbur -2534 vota, ose e thënë me përqindje, ka rënë 2.06 pikë. PS është rritur me 5.5 pikë, ndërsa LSI ka rënë me -0.96 pikë. Në këtë qark, kandidonte Eduard Halimi i pasuar nga Astrit Veliaj, teksa kandidati i tretë, Lefter Maliqi bëri hapur fushatë për PS-në. PD fitoi vetëm një mandat, atë të Halimit.
Në Dibër Partia Demokratike ka humbjen më të thellë në rang kombëtar. Ajo ka marrë 21,142 nga 29,700 të vitin 2013, ose e thënë ndryshe -8.558 vota. Rënia është -13.28%, teksa e vetmja parti në rritje në këtë qark është LSI e ndjekur nga PDIU. Edhe PS ka shënuar një ulje të vogël me -1.28%. Në këtë qark, PD kryesohej nga Dhurata Çupi, Xhemal Gjunkshi dhe Edmond Isaku, por mandat fituan vetëm dy të parët. PD humbi një mandat, i cili kaloi në favor të PDIU-së.
Elbasani është qarku i dytë ku Partia Demokratike ka uljen më të thellë. PD ka marrë vetëm 33,569 vota, nga 46,740 që kishte në vitin 2013, duke humbur -13 171 vota, ose në përqindje ka rënë me -8.24%. Edhe Partia Socialiste ka një ulje me -1.97%, ndërsa LSI 3.01 %, ku ka marrë edhe PDIU dy mandate. Në këtë qark, fushata u drejtua nga nënkryetari Edmond Spaho, si dhe Endri Hasa e Luçiano Boçi. PD mori vetëm tre mandate, 7 i mori PS dhe nga dy mori LSI dhe PDIU.
Durrësi është qarku i tretë për nga rezultati në rënie. PD ka marrë vetëm 42,488 vota, nga 51,534 që kishte në vitin 2013, ose -9046 vota më pak. E krahasuar në përqindje, ulja është -6.86%, po aq sa është rritur LSI-ja që ka shtuar një mandat (6.84%+). Edhe PS është rritur me 8.11%, që i dha një mandat shtesë i cili i ishte shtuar këtij qarku pas ndarjes territoriale. Në këtë qark, listën e PD e kryesonte Oerd Bylykbashi, i pasuar nga Fatbardha Kadia dhe i treti ishte nënkryetari i PD-së, Edi Paloka. I katërti ishte Florion Mima. Vetëm këta të katërt fituan mandat, ndërsa Agron Duka që ishte i pesti nuk e mori mandatin.
Edhe pse në Tiranë, lista e PD-së kryesohej nga vetë kryetari Lulzim Basha dhe kandidonte edhe lideri historik,Sali Berisha, ulja e votave krahasuar më vitin 2013 është shumë e lartë. Ajo mori vetëm 127,984 vota nga 149,971 që kishte marrë në vitin 2013, ose -21987. Në përqindje, ulja është me -5.06%. Vetë PS është rritur me 1.03%, ndërsa LSI është rritur me 5.05%. PD mori 11 deputetë nga 34, dhe ata janë:
Lulzim Basha, Orjola Pampuri, Rudina Hajdari, Grida Shqima, Albana Vokshi, Jorida Tabaku, Sali Berisha, Halim Kosova, Gent Strazimiri, Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi.
Fieri është ndër qarqet e pakta që ruan thuajse të njëjtin nivel votash. PD ka marrë 46,929 vota, duke u shtuar me 535 vota krahasuar me vitin 2013. Pavarësisht kësaj, me përqindje është ulur me -0.54%, teksa PS është rritur me 6.4%, ndërsa LSI me 0.75%. PD mori vetëm 4 mandate nga 16, duke dërguar në parlament Enkelejd Alibeajn, Genc Pollon dhe kryetarët e partisë në Fier e Lushnjë, Luan Baçi dhe Myslim Murrizi.
Gjirokastra realizon një nivel thuajse të njëjtë votash, me një rritje të vogël në numër votash dhe përqindje. PD ka marrë 13,307 vota nga 13,202 që kishte në vitin 2013, ose 105 më shumë. Rritja në përqindje është 0.11 pikë, teksa PS është rritur me 4.4%, ndërsa LSI me 2.09%. Kryesuesi i listës dhe deputeti i vetëm është Tritan Shehu.
Në Korçë PD-ja është dobësuar me -5020 vota, duke marrë vetëm 41,968 të tilla. Rënia në përqindje është -2.24%, teksa PS është rritur me 1.34 % dhe LSI me 4.33 %. Lista u kryesua nga historiania Valentina Duka, teksa pasohej nga Ervin Salianji, Hekuran Hoxhalli e Klevis Balliu. Vetëm këta tre persona fituan një mandat deputeti.
Kukësi, pavarësisht se e nxori Partinë Demokratike forcë të parë në nivel qarku, ka një ulje me -2483 vota krahasuar më vitin 2013. Në nivel përqindje, ulja është -4.43 pikë, teksa PS është rritur në këtë qark me 17.44%, ndërsa LSI është ulur me -6.05 %. Pavarësisht se këto zgjedhje reforma i hoqi Kukësit një mandat, PD mori dy mandate dhe PS-ja vetëm 1. Fushata e PD-së drejtohej nga deputeti Flamur Noka, dhe kandidati i dytë i zgjedhur është Isuf Çelaj.
Në Lezhë PD ka shënuar një tjetër humbje të madhe, që ju reflektuar me një deputet më pak. Ka marrë në 25 qershor 27,655 vota, krahasuar me 31,254 që kishte në vitin 2013. Diferenca është -3,599 vota, ndërsa me përqindje, rënia është -5.52 pikë. PS ka rritjen më të madhe, me 3.97 pikë, ndërsa LSI është rritur me 3.25%. Drejtuesi i fushatës ka qenë Aldo Bumçi, ndërsa dy kandidatët e tjerë që u zgjodhën ishin Lindita Metaliaj dhe Andon Frrokaj.
Pavarësisht se është forcë e parë në qark, edhe në Shkodër Partia Demokratike ka një rënie të thellë, duke marrë vetëm 40,506 vota, nga ato që kishte në vitin 2013. Rënia është me -4772 vota, ose -2.92%. PS është rritur me 2.4%, ndërsa LSI me 0.6. Kësaj here, në listë mungonte Jozefina Topalli, teksa deputetë u zgjodhën Romeo Gurakuqi, Izmira Ulqinaku, Lorenc Luka, Bardh Spahia dhe Nard Ndoka.
Në qarkun Vlorë, Partia Demokratike ka marrë 1175 vota më shumë, por është ulur me 0.6%. Pavarësisht kësaj, PD nxori nga ky qark vetëm tre deputetë, duke mos mundur që, Arben Ristani, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, i katërti në listë, të fitonte një mandat. Mandat fituan dy demokratët Agron Shehaj dhe Nadire Meçorapaj, si dhe kreu i PDBDNJ-së, Vangjel Dule.