( FOTO: Mathew Horne, zëvendës drejtor i Përgjithshëm i NCA- Londër) 

Sipas një raporti kriminalistik të përpiluar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA-National Crime Agency) e të publikuar nga BBC, grupet e dhunshme kriminale shqiptare të kokainës, kanë një kontroll të konsiderueshëm mbi trafikun e drogës në tregun britanik dhe një influencë të lartë në krimin e organizuar.

Në raport thuhet se bandat shqiptare paraqesin një kërcënim që duhet marrë si i mirëqenë në tregun britanik të kokainës.

Londra është tuneli parësor i kalimit të drogës në pikat e tjera të vendosura kudo në Angli.

Grupet e dhunshme shqiptare kriminale po ushtrojnë “kontroll të konsiderueshëm” mbi tregun e trafikimit të drogës në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një raporti të zbatimit të ligjit. Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) tha se është shumë e shqetësuar nga ajo që quhet “ndikim i profilit të lartë të shqiptarëve në krimin e organizuar në Mbretërinë e Bashkuar”.

Vërejtjet janë shprehur në vlerësimin vjetor të Agjencisë për natyrën dhe shkallën e krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu paralajmëroi për kërcënimin e krimit kibernetik nga vendet rusisht-folëse. NCA tha se marzhet e fitimit në tregtinë e drogës mbetën “konsiderueshme” pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare. Mes atyre që shfaqën si një “kërcënim i mundshëm” ishin bandat shqiptare, të cilat Agjencia tha se kishin ndikim të veçantë në tregun e kokainës.

Zyrtarët thanë se bandat karakterizohen nga gatishmëria e tyre për të përdorur dhunën. Londra është “qendra kryesore” e tyre, thotë raporti, por ato janë të vendosur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i NCA-së, gjenerali Mattheë Horne tha: “Është një grup shumë i vogël, por i madh në ndikim. Ne kemi parë shfaqje të dhunës, veçanërisht rreth zbatimit të tregtisë së drogës, në këtë grup”.

Raporti gjithashtu tha se grupet kriminale serbe dhe turke “dominojnë logjistikën detare të kokainës”, ndërsa grupet turke dhe pakistaneze “vazhdojnë të mbizotërojnë trafikimin e heroinës në Britani të Madhe”. Raporti thotë se korrupsioni midis stafit që punon në portet dhe aeroportet ishte një “çelës cenueshmërie”, sepse e bëri më të lehtë që bandat të kontrabandonin në drogë dhe të sillnin emigrantë të paligjshëm