Frrok Çupi/

Loja me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, zotin Donald Lu, ka nisur që në datë 9, në momentin kur në Kuvend po votohej kandidatura e Gramoz Ruçit për postin e kryetarit të Kuvendit. Dhe ka vazhduar deri sot, kur ‘ambasadori hoqi kufjet’ në momentin kur foli Gramoz Ruçi- sipas medias prezent në sallën e Kuvendit…

Çfarë është kjo: Një lojë e vogël, apo vërtet lojë, dmth., lëvizje dhe akt- siç zakonisht e kuptojmë fjalën ‘lojë’?

E tëra kjo ka kaluar përmes tre aspekteve:

Aspekti i parë,

pakujdesia ose mos- profesionalizmi i mediave që u ndodhën në sallë në momentin kur po votohej kryetari i ri i Kuvendit. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Lu, nuk u pa në lozhën e s’e tij’; siç ndodheshin ambasadorë të tjerë të akredituar në Tiranë, përfshi edhe atë të Komisionit Europian. Në raste ceremoniale dhe kruciale si ky, ambasadori i Shteteve të Bashkuara ndodhet gjithnjë prezent. Mungesa e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara është një qëndrim, padyshim. Pak zëra, më vonë (mjaft vonë) nisën ta komentojnë.

Komenti ishte i tillë:

‘Ambasadori i Shteteve të Bashkuara nuk mund të vinte për inaugurimin e një autoriteti që vetë shteti Amerikan i ka ndaluar vizën hyrëse në Shtetet e Bashkuara’. Sikur vetëm kaq ishte!? Ndonjë analist më i nxehtë e trajtoi sikur personalitetet shtetërorë janë ‘anti-amerikan’. Spekulimi ekstrem me aktin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara erdhi për shkak se media e nënvleftësoi lajmin e mungesës së ambasadorit. Por edhe  mungesa e një komenti serioz- po për shkak se media nuk dha lajmin…

Në fakt vetëm ai ishte lajmi atë ditë: Ambasadori i Amerikës refuzoi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Por media është tërësisht e radhitur me politikën, dhe sidomos me qeverinë; ajo shërben interesat e qeverisë dhe nuk mund të transmetojë ‘lajmin real’.

Aspekti i dytë,

lidhet me interesat e Shteteve të Bashkuara mbi qeverisjen në Shqipëri dhe zhvillimi në të ardhmen. Ambasadori i  Lu, u paraqit në lozhën e caktuar në seancën parlamentare që nisi sot paradite dhe ku qeveria paraqet programin e saj. Padyshim që një moment si ky-  i hartimit të projektit ekonomik e politik të qeverisë së re, është në vëmendje të Shteteve të Bashkuara. Por ardhja në këtë seancë, dhe mungesa në seancën e mëparshme (data 9 shtator, mbi emërimin e zotit Ruçi) e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, ka esencë. Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se ‘bashkëpunon dhe do të bashkëpunojë me qeverinë e Shqipërisë’, por zgjedhje ekstraverse të personave ‘me hije’ në krye të shtetit, nuk janë të pajtueshme për aleatin e vendit tonë.

“Loja”, domethënë akti i përfaqësuesit diplomatik të Shtëpisë së Bardhë, në këtë rast peshon. Megjithatë media veçse bëri një ‘review’ të asaj që kishte thënë në rastin e parë. Ndërsa politika, sidomos politika e opozitës, heshti. Gjysma e opozitës (PD) heshti me gjithëfarë. Çudia ishte argumenti i saj mbi heshtjen. PD tha se ‘nuk bëmë as pyetje’ në seancën për programin e qeverisë… Arsyeja? Sepse “nuk deshëm t’i japim shkas kryeministrit Rama që të flasë gjatë” duke na u përgjigjur.

Prezenca e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në seancën e programit të qeverisë ka peshën e vëmendjes së Shteteve të Bashkuara dhe të presidentit Trump mbi zhvillimet dhe perspektivat këtu. Në rastin tonë kur media dhe opozita janë ‘absent’ , atëherë i bie që vetëm Shtetet e Bashkuara do të mbajnë ‘arkivin’ tonë qeverisës se çfarë u programua, çfarë do të realizohet dhe çfarë jo.

Aspekti i tretë,

çfarë media e trajtoi me hollësi- lidhet me kufjet e dëgjimit që nuk përdori ambasadori Lu. Media raportoi se ‘në momentin që zoti Ruçi nisi të flasë’ në seancën e Kuvendit, ambasadori ‘hoqi kufjet’. Pas pak edhe vetë ambasadori pohoi: “Po, i hoqa në atë moment”. Po çfarë komentoi politika opozitare? Po ‘survey’ i mediave?…

Një gjë aq të vogël, saqë media e tregoi si kuriozitet dhe si ‘hahaaaaa’. Shiko çfarë gropash ka në këtë fushë! As ky akt kaq tregues sa ç’është  refuzimi për të dëgjuar kryetarin e Kuvendit përmes kufjeve ku vjen përkthimi në gjuhën amtare të ambasadorit, nuk interpretohet. As ky nuk paska peshë? As ky nuk thotë gjë? Të paktën a nuk tregon se fjaloi i kryetarit është i varfër aq sa ambasadori e kupton pa përkthim?

Por sigurisht, nuk është kaq e lehtë.

Në çdo vend tjetër akti i ambasadorit do të kishte marrë kohë dhe vëmendje të peshuar nga politika dhe politologjia.

Janë akte ‘speciale’ që flasin më shumë se fjalët lumë…

Veritas.com.al/