Janë zbardhur diskutimet e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të zhvilluara gjatë mbledhjes së thirrur nga kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj, për sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri.

 “Sugjeroj që s’ka asnjë arsye të marrim pjesë. Ata e thyen marrëveshjen”, ka thënë Alibeaj.

Gjithashtu, edhe deputetët Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi kanë mbajtur të njëjtin qëndrim.

“Duhet t’i japim fund pjesëmarrjes tonë në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Grupi diskutoi dhe mbajti një qëndrim dinjitoz. Ne u qëndrojmë parimeve. Rama tregoi që, edhe këtë herë, nuk u qëndron marrëveshjeve”, deklaroi Tabaku.

Nga ana tjetër, Bardhi theksoi se “që në nisje të procedurës për zgjedhjen e Presidentit, ky grup ka thënë publikisht që Edi Rama e ka paracaktuar Presidentin”.

“Opozita duhet të hynte në proces për t’i rrëzuar maskën e fasadës sikur donte President konsensual. Në respekt të zgjedhësve tanë ne nuk bojkotuam procesin, ofruam në mënyrë parimore rregullat e një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual, për t’u ofruar shqiptarëve një President konsensual”.

Deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferaj nënvizoi se PD-ja nuk duhet ta vazhdojë procesin e zgjedhjes së Presidentit me një emër në raundin e tretë.

“Ne nuk duhet të bëjmë gabime. Deri tani kemi mbajtur qëndrim. Pra, morëm pjesë në proces. Ne si grup kemi rënë dakord që bojkoti është gabim. Bëmë një mbledhje shumë të mirë grupi parlamentar, ku propozuam 8 emra, prodhuam 8 emra. Tani Taulant Balla doli blof, doli lakuriq”.

Kujtojmë që, dy ditë më parë, Konferenca e Kryetarëve caktoi datën 30 maj, ora 10:00, për raundin e tretë të zgjedhjes së presidentit të ri.

Ndërsa, afati i fundit i dorëzimit të propozimeve për kandidatë do të jetë data 29 maj, ora 18:00.

Ishte pikërisht kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, i cili e propozoi këtë datë.

Përfaqësuesit e opozitës kërkuan diskutim paraprakisht për aspekte të tjera pa shkuar te përcaktimi i datës.

Çfarë ndodhi?

Seanca, e parashikuar për votimin e Presidentit të ri të Shqipërisë, i gjeti sërish palët nga opozita dhe mazhoranca pa një konsensus.

Nga Komisioni i Ligjeve u njoftua se nuk ishte paraqitur asnjë kandidaturë.

Afati i fundit i dorëzimit të emrave për raundin e dytë ishte 22 maji, deri në orën 16:00.

Mazhoranca ka paralajmëruar se propozimet e tyre do të vijnë vetëm në raundin e katërt dhe të pestë, duke i lënë kështu tre raundet opozitës.

Kjo e fundit dy raundet e para “i dogji”, ndërsa pritet çfarë do të ndodhë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe si do të jetë konsensusi i radhës opozitë-mazhorancë.

Pavarësisht se, javën e kaluar pas takimeve mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës, u duk si një “dritë jeshile” për propozimin e kandidatëve, çdo gjë u hodh poshtë të premten.

Kreu i Grupit Parlametar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, njoftoi të premten se mazhoranca nuk ishte dakord me kushtet e vendosura, prandaj ata nuk do të paraqesin asnjë kandidaturë të dielën.

Sakaq, ishte parashikuar që katër do të ishin kandidatët e propozuar nga opozita.

Përkatësisht, dy nga grupi i Enkelejd Alibeaj dhe dy të tjerë nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim i Fatmir Mediut dhe Grupi për Demokraci dhe Integrim i Mesila Dodës.

Ndërkohë prej këtyre emrave dy do të zgjidhen nga socialistët. Pas kësaj do të krijohej një grup i përbashkët prej gjashtë anëtarësh, në përbërje të së cilit do të ishte nga PD-ja dhe PS-ja.

Nga ky grup do të dalë një kandidat – i propozuar me firma të përbashkëta PD-PS – që do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Kujtojmë se raundi i parë i votimeve u përmbyll pa asnjë kandidat. Po ashtu, edhe i dyti.

Nga ana tjetër, Kushtetua parashikon se procedurat për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojnë jo më vonë se data 23 maj.

Sakaq, edhe në raundin e tretë parashikohet e njëjta procedurë.

Çfarë parashikohet në Kushtetutë?

Procesi për zgjedhjen e Presidentit kalon në pesë raunde. Në tri raundet e para, ai duhet të zgjidhet me tri të pestat e votave – pra 84 vota.

Kushtetuta parashikon se, nëse në fund të tri raundeve nuk kemi një president, atëherë Kreu i Shtetit zgjidhet me 71 vota.

Sipas saj, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e tretë.

Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.

Në krye të shtetit, që prej 2017-ës, është Ilir Meta./AP/