Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka urdhëruar të premten Izraelin që t’i marrë të gjitha masat për të parandaluar akte të gjenocidit në Gazë.

Ajo nuk ka marrë vendim për të urdhëruar armëpushim në Gazë, por i ka kërkuar Izraelit që të frenojë vdekjet dhe dëmet.

Gjykata ka thënë të premten se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit, në luftën e tij kundër Hamasit në Gazë.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Gjykata ka thënë se Izraeli duhet të sigurohet që forcat e tij nuk kryejnë gjenocid dhe marrin masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë.

Sipas saj, Izraeli duhet t’i raportojë gjykatës brenda një muaji për të treguar se çfarë po bën për të zbatuar urdhrin.

Gjykata ka thënë se nuk do të refuzojë rastin, siç ka kërkuar Izraeli.

Në mesin e masave të kërkuara prej Afrikës së Jugut, përfshihet ndalja e menjëhershme e operacionit ushtarake të Izraelit në Gazë, si pasojë e të cilit janë vrarë më shumë se 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue, ka thënë se gjykata është “thellësisht e shqetësuar” nga vazhdimi i humbjes së jetëve dhe vuajtjeve të njerëzve.

Kërkesa për ndëshkim të Izraelit është bërë prej Afrikës së Jugut në dhjetor të vitit 2023.

Afrika e Jugut dhe Izraeli janë pjesë e Konventës së OKB-së për Gjenocid.

Për një vendim të gjykatës për supozimet e Afrikës së Jugut për kryerjen e gjenocidit nga ana e Izraelit pritet të kalojnë vite.

Izraeli i ka konsideruar akuzat ndaj tij si të “pabaza”.

Johanesburgu beson se Izraeli është duke vepruar në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Gjenocid, të vitit 1948, e cila është hartuar pas Luftë së Dytë Botërore dhe Holokaustit.

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje.

Disa janë liruar ndërkohë.

Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri.

Masat e përkohshme që ka marrë gjykata:

Izraeli duhet të marrë të gjitha masat për të parandaluar çdo akt që mund të konsiderohet gjenocid – vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi i lëndimeve trupore, shkaktimi i kushteve të krijuara për të shkaktuar shkatërrimin e një grupi, parandalimi i lindjeve

Izraeli duhet të sigurojë që ushtria e tij të mos kryejë asnjë akt gjenocidal

Izraeli duhet të parandalojë dhe ndëshkojë çdo koment publik që mund të konsiderohet si nxitje për të kryer gjenocid në Gaza

Izraeli duhet të marrë masa për të siguruar akses humanitar

Izraeli duhet të parandalojë çdo shkatërrim të provave që mund të përdoren në një rast gjenocidi

Izraeli duhet të paraqesë një raport në gjykatë brenda një muaji nga dhënia e këtij urdhri

Gjykata shprehu gjithashtu shqetësim të madh për fatin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.