Nga Adriatik Doçi
Rinumërimi i disa kutive të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, si provë për integritetin e numëruesve dhe procesit, ka prodhuar surpriza. Rinumërimi ka zbuluar vjedhje votash nga partitë e mëdha, duke ua hequr partive të tjera. Nga hapja e kutive rezulton se subjekti që ka vjedhur më shumë vota është pikërisht Partia Demokratike, e cila megjithatë i humbi zgjedhjet. Numëruesit i kanë shtuar 60 vota Partisë Demokratike, e cila si për ironi ka ngritur një komision hetimor për të hetuar abuzimet e pretenduara në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Pas PD-së vjen Partia Socialiste, të cilës numëruesit i kanë shtuar 43 vota në mënyrë të padrejtë, duke ua hequr partive të tjera. E treta renditet Partia Socialdemokrate, e cila nga hapja e kutive rezulton se ka marrë 9 vota më shumë. Lëvizja Socialiste për Integrim, partia më problematike sa i takon blerjes dhe tjetërsimit të votës, renditet e katërta, ku u ka marrë 7 vota partive të tjera. Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare ka marrë 2 vota tepër, ndërsa Aleanca Demokracia e re një votë. Nga ana tjetër, i janë hequr 4 vota Partisë Bindja Demokratike, dy vota Nismës Thurje, dy vota koalicionit ABEOK dhe një votë Lëvizje për Ndryshim.
Ky rezultat është prodhuar nga rinumërimi i votave në 235 qendra votimi. Numri total i qendrave të votimit është 5,199. Rinumërimi i pjesshëm tregon edhe një herë se partitë e mëdha vijojnë të marrin votat e partive të vogla.
Rinumërimi ka zbuluar vjedhje votash brenda llojit në tre partitë kryesore, PS, PD dhe LSI, sa i takon votës preferenciale për kandidatët. Numëruesit kanë vjedhur vota, duke ia hequr një kandidati dhe shtuar një kandidati tjetër brenda të njëjtës parti.
Në Tiranë, numëruesit i kanë hequr Sali Berishës 21 vota, ndërsa nga ana tjetër Lulzim Bashës i kanë shtuar 13 vota. Kandidatit të PD-së Asllan Dogjani i kanë hequr 53 vota, Petrit Dodës 54 vota, ndërsa Lediana Fratarit i kanë shtuar 49 vota si dhe Ornela Nebijajt i kanë shtuar 30 vota. Belind Këlliçit i janë shtuar 25 vota, ndërsa Alfred Rushajt i janë vjedhur 16 vota.
Ndërkaq, në Durrës, kryeministrit Edi Rama i kanë vjedhur 11 vota dhe Lefter Kokës 6 vota. Nga ana tjetër, Rrahman Rrajës i janë shtuar 19 vota, Ilir Ndraxhit 5 vota si dhe Klodiana Spahiut 3 vota. Në Tiranë, në radhët e PS-së, më shuma vota i kanë vjedhur Fatmir Xhafajt 55 vota, Belinda Ballukut i kanë vjedhur 34 vota, Luljeta Bozdos 7 vota, Xhemal Qefaliajt 15 vota dhe Mimi Kodhelit 22 vota. Ndërkaq, numëruesit i kanë shtuar Eduard Shalsit 80 vota, Ylli Shehut 48 vota dhe Elisa Spiropalit 18 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi disa kuti votimi në Tiranë pas zgjedhjeve parlamentare të 2017, me këmbënguljen e PDIU me në krye Shpëtim Idrizi. Nga rinumërimi rezultoi se PS-së i kishin vjedhur vetëm 16 vota, ndërsa Partia Demokratike kishte vjedhur 77 vota. Partia që kishte vjedhur më shumë ishte LSI, 80 vota. PDIU kishte vjedhur 52 vota në 57 kuti, por nga ana tjetër i kishin vjedhur 57 vota në 57 kuti.