Prej ditësh Shqipëria po përjeton një situatë kritike me valën e zjarreve dhe dukurisë kriminale të piromanisë.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë sot (15 gusht) edhe bilancin e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit në vend. Informohet se janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive.
“Në menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë përfshirë 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren vijojnë operacionet me 120 efektivë të FA-së, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”, njofton dikasteri i mbrojtjes.
Në Dajt të Tiranës, vijon puna për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Operacioni mbështetet nga 50 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë.
Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, zjarri në Priskë, Farkë dhe zonat përreth është vendosur nën kontroll. Në Krujë, forcat vijojnë ndërhyrjen në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Në Zidoll po punohet për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Një tjetër operacion vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku hapja e korridoreve ka ndihmuar në frenimin e përparimit të flakëve drejt zonave të banuara. Në terren janë angazhuar forca të Mbrojtjes Civile, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së, dy avionë “Air Tractor” dhe një autobot uji. Në Qafë Helmes, në zonën Bulqizë-Selishtë, operacioni vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijojnë ndërhyrjet për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit. Sipas
Ministrisë së Mbrojtjes, zjarret në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh janë shuar plotësisht. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e strukturave në terren, me fokus mbrojtjen e banesave dhe kontrollin e vatrave ende aktive.
Komente