Ndonëse qeveria polake u tërhoq për ndalimin thuajse total të abortit, kjo e drejtë e grave në Poloni mbetet e brishtë përballë presionit të kishës katolike që intensifikohet përditë… kërkohet mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare.

Përballë mobilizimit masiv të grave polake kundër projektligjit që synon ndalimin e abortit dhe konsiderimin e tij si vepër kriminale, qeveria polake më në fund u tërhoq. Një fitore e vogël për gratë, të drejtat e të cilave mbeten gjithnjë të kufizuara nga qeveria e djathtë ultra konservatore dhe ndikimi i kishës katolike.

Si kudo në botë, gratë polake u bëjnë ballë të njëjtave sfida, domethënë, punojnë dhe kujdesen për familjen në të njëjtën kohë. Por në Poloni simboli i “Nënës polake” me një konotacion të fortë fetar është gjithnjë e më i fuqishëm. Statusi i saj prej “nëne” nënkupton devotshmëri totale për familjen dhe për fëmijët. Dhe kjo është në plan të parë. Nëna, përpara se të jenë thjesht gra.

Dhe këtu fillojnë edhe problemet konkrete për to. Nëna dhe zonja shtëpie, shumica prej tyre, ngaqë nuk janë në marrëdhënie pune nuk janë të siguruara dhe vuajnë edhe për të siguruar ilaçet për sëmundje të tilla si reumatizma apo ulçera. Gratë me të ardhura modeste detyrohen të përdorin metoda të rrezikshme për shëndetin për të abortuar, ndërsa ato që kanë para shkojnë jashtë shtetit, si në Sllovaki apo Gjermani. Të tjera blejnë pilula në Internet dhe ndeshen sigurisht me probleme të ndryshme në dogana.

Ka mjekë që në klinikat shtetërore ua mohojnë grave shërbimin e abortit duke u përmendur “klauzolën e ndërgjegjes”, ndërsa në kabinetet private flitet se lulëzon një treg i zi. Një abort kushton minimumi 3000 zlotis (750 euro), kur dihet se paga minimale mujore (bruto) në Poloni është 1850 zlotis (rreth 450 euro).

Një nga mesazhet e këtyre manifestimeve me të zeza ishte që të lejohen gratë të vendosin vetë për veten dhe të mos jenë të detyruara të sakrifikohen për të tjerët. Gratë polake kërkojnë ndihmë nga Bashkimi Evropian. Ato kërkojnë t’i bëhet presion qeverisë polake që të respektojë vlerat evropiane, përfshi të drejtat e grave.

 

Nga: Desiree Lamarzelle